image Detaje të reja nga tollovia në diskon ‘Stop’ në Gjilan, dikush gjuajti me armë në drejtim të sigurimit

Siguri

Detaje të reja nga tollovia në diskon ‘Stop’ në Gjilan, dikush gjuajti me armë në drejtim të sigurimit

news image

Rastet e përdorimit të armëve nga të rinjtë e rreziku që shkaktojnë përreth shpesh kanë përfunduar edhe tragjikisht. Të shtëna armësh në afërsi të lokaleve e diskove në kryeqytet nuk janë të rralla. E mbrëmja e shkuar në diskotekën ‘Stop’ në Gjilan, ishte rezervuar për Mozzikun, Getinjon, Kidën dhe Sabri Fejzullahun e të tjerë, por koncerti u ndal në gjysmë nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë zbardhur detaje të reja lidhur me rastin, ku një person dyshohet se përpos që ka hedhur një granatë dore e cila s’ka shpërthyer, ka shtënë edhe me armë në drejtim të sigurimit të diskotekës dhe punëtorëve tjerë.

Të shtënat me armë nuk shkaktuan lëndime te personat që ndodheshin përreth, mirëpo një veturë që ishte e parkuar afër ka pësuar dëme materiale, ndërsa i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa njësiti për deminim ka asgjësuar granatën që u hodh.

Zëdhënsi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha për Sinjalin se Policia në vendngjarje ka gjetur edhe gëzhojën që dyshohet të jetë e armës që u përdor në rast, teksa personat që ishin brenda diskotekës janë evakuuar në mënyrë të sigurt.

“Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë e armës si dhe një granatë dore, e cila ishte e pashpërthyer. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Nga ana e zyrtarëve policorë është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes, ndërsa mjeti i pashpërthyer është menaxhuar dhe asgjësuar pa asnjë pasojë nga njësiti për deminim”, tha Hashani.

E në rrjete sociale po qarkullon edhe videoja ku këngëtari Mozzik njofton publikun se i duhet ta lëshojë diskotekën dhe ta lë koncertin në gjysmë.

“Ju kërkoj falje. Faleminderit që keni ardhë sonte por duhem me lëshu kllabin se paska ndodh diçka. Shihemi Gjilan ju dua shumë”.

Dikush nga stafi shton pastaj se nuk ka ndodhur asgjë por duhet ‘lëshuar klubi për çështje sigurie’ teksa ka bërë të ditur se ndejat vazhdojnë nesër me të tjerë artistë.

/GazetaSinjali/