image Detaje të reja nga plagosja në Prishtinë: Të dyshuarit u arratisën me një veturë të tipit 'Audi'

Siguri

Detaje të reja nga plagosja në Prishtinë: Të dyshuarit u arratisën me një veturë të tipit ‘Audi’

news image

Foto ilustruese


Të shtëna me armë janë dëgjuar sot në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë, ku një person ka mbetur i plagosur. Lajmin e ka konfirmuar Policia, teksa akoma nuk dihet nëse janë kapur personat e përfshirë në incident, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që u plagos me armë zjarri është Pajtim Gashi, i cili dyshohet se fillimisht është sulmuar në kokë e pastaj është qëlluar në këmbë.

Sipas sinjalizuesve të Sinjalit, personat e dyshuar që janë përfshirë në këtë rast dyshohet se janë arratisur nga vendi i ngjarjes me një veturë të tipit ‘Audi’.

Në vendin ku ndodhi rasti, zyrtarët policorë kanë gjetur rreth 5 gëzhoja, që dyshohet se janë të armës që u përdor.

Ndërkohë, lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë Rajonale në Prishtinë, Flora Ahmeti, e cila tha se Policia ka intervenuar dhe po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.

Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

/GazetaSinjali/