image Detaje të reja nga aksidenti tragjik në Itali ku humbi jetën 19-vjeçari nga Vitia

Siguri

Detaje të reja nga aksidenti tragjik në Itali ku humbi jetën 19-vjeçari nga Vitia

news image

Gazeta Sinjali raportoi më parë për aksidentin e rëndë që ndodhi më 21 korrik në Itali, ku mbeti i plagosur rëndë 19-vjeçari Dion Emërllahu nga fshati Ramjan i Vitisë.

I riu ka vdekur të premten si pasojë e plagëve të marra në aksidentin që ndodhi në autostradën A4, pranë Calcinatellos, në drejtim të Veronës.

Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga faqja e fshatit Ramjan, sipas së cilës Emërllahu ishte nisur nga Franca për të ardhur në Kosovë së bashku me familjen.

Sipas mediumit italian “BresciaToday”, 19-vjeçari po drejtonte një furgon kur u përplas me një kamion.

Pas marrjes së ndihmës së parë në vendin e ngjarjes, ai ishte transportuar me helikopter në Spitalin Civile në Brescia, ku po trajtohej për plagët e rënda.

Ndërkohë, mediumi “Giornale di Brescia” kishte raportuar se aksidenti ndodhi rreth orës 11:15.

Sipas njoftimit të publikuar nga faqja e fshatit Ramjan, familja Emërllahu po udhëtonte nga Franca drejt Kosovës me dy automjete. Në njërin prej tyre ndodhej babai i Dionit, Avniu, së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes, ndërsa në automjetin tjetër ishte Dioni.

Trupi i pajetë i 19-vjeçarit ndodhet ende në spital, ndërsa për kohën dhe vendin e varrimit familjarët do të njoftojnë më vonë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/