image Detaje të reja nga aktakuza/ Si bashkëpunuan ish-kryetari i Leposaviqit dhe 9 zyrtarë tjerë me pronarët e bizneseve

Drejtësi

Detaje të reja nga aktakuza/ Si bashkëpunuan ish-kryetari i Leposaviqit dhe 9 zyrtarë tjerë me pronarët e bizneseve

news image

Prokuroria Speciale e Kosovës dje njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit Dragan Jablanoviq dhe 9 zyrtarëve të kësaj komune për veprën krim i organizuar, lidhur me veprën keqpërdorim i pozitës zyrtare. Pos tyre, Prokuroria njoftoi se aktakuzë është ngritur edhe ndaj 5 pronarëve të bizneseve private, të angazhuar në projektet e komunës.

Sinjali mëson se përveç Dragan Jablanoviqit, 9 zyrtarët e tyrë që po akuzohen janë Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Miroslav Ivanoviq, Bojan Banoviq, Ivan Kadiq, Jelica Baraq dhe Boban Millovanoviq.

Kurse 5 pronarët e bizneseve private të akuzuar janë Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu.

Çka thuhet në aktakuzë?

Burimet e Sinjalit njoftojnë se arsyetimi i Prokurorisë për ngritjen e aktakuzës është se të akuzuarit duke vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës 2015-2017, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale, duke kryer vepra penale të rënda.

Të njëjtat burime brenda Prokurorisë tutje bëjnë me dije se ish-kryetari i Leposaviqit, Dragan Jablanoviq, akuzohet se e ka organizuar, drejtuar dhe mbikëqyrur këtë grup, ashtu që pas emërimit në pozitën e kryetarit të komunës, i ka punësuar Aleksandër Kostiqin, Aleksandar Ackoviqin, Çedomir Timotijeviqin, Miroslav Ivanoviqin, Boban Milovanoviqin dhe Ivan Kandiqin.

Ndërsa më 2 qershor 2015, në mënyrë të kundërligjshme, për drejtor të Prokurimit në këtë komunë ka caktuar Haxhi Bejtën nga komuna e Skenderajt, edhe pse në Leposaviq, ka pasur zyrtarë të certifikuar të prokurimit.

Këto burime po ashtu kanë njoftuar se në aktakuzë thuhet se të akuzuarit që u përmendën më lartë bashkë me Bojan Banoviqin dhe Jelica Baraqin, Jabllanoviq, i ka caktuar në detyra të ndryshme, në procedurën e prokurimit, me qëllim që të përfitojnë financiarisht dhe me dashje, sipas Prokurorisë i kanë shpërdorur detyrat zyrtare, duke tejkaluar kompetencat dhe duke mos mbushur detyrën zyrtare.

Pronarët e bizneseve private

Sinjali mëson se anëtarët e këtij grupi, siç quhet në aktakuzë, kriminal, me të akuzuarit Xhemajl Ferizi (“Projektusi”), Haki Haxhiu dhe  Mehdi Haxhiu (“Lirigzoni”), Mensur Rama (F.N-ING.I”)  dhe Nijazi Musliu (Eurometali), me qëllim që përmes bizneseve të tyre të përfitojnë dobi pasurore, me dashje direkte, i kanë shkelur rregullat e veprimtarisë afariste, lidhur me përdorimin e pasurisë së dedikuar për disa projekte të komunës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/