image Detaje nga aksioni antidrogë në Kaçanik ku u gjetën mbi 5 kg marihuanë, krejt çka gjeti e konfiskoi Policia

Siguri

Detaje nga aksioni antidrogë në Kaçanik ku u gjetën mbi 5 kg marihuanë, krejt çka gjeti e konfiskoi Policia

news image

Policia e Kosovës ka realizuar sot një operacion kundër drogës në fshatin Ivajë të komunës së Kaçanikut, i cili ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar, T.B., K.B., dhe N.B. Gjatë bastisjes brenda një shtëpie private në të cilën dyshohej se po zhvillohet kultivimi i bimëve narkotike të llojit Kanabis Sativa, u gjetën mbi 5 kilogramë marihuanë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se gjatë kontrollit të shtëpisë, është gjetur marihuana e konfiskuar e ndarë në 26 paketime në qese najloni.

Po ashtu janë gjetur dhe konfiskuar edhe pajisjet tjera që dyshohet se janë përdorur për kultivimin dhe rritjen e narkotikëve si reflektorë, foli alumini, gërshërë e pajisje për ujitje.

Gjatë aksionit është konfiskuar edhe një veturë e tipit Golf 4, një pistoletë me një karikator dhe shtatë fishekë si dhe 160 euro para të gatshme.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të kryhen bastisje edhe në dy banesa, prona të të arrestuarve, ku në banesën e N.B. është gjetur një pistoletë dhe disa vazo si në shtëpinë të cilën e kishin shndërruar në laborator drogë, ndërsa në banesën e dy të arrestuarve tjerë nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

/GazetaSinjali/