Një incident i rëndë ka ndodhur të premtën në një lokal në fshatin Tërpezë të Malishevës, ku janë dëgjuar të shtëna nga arma e zjarrit. Për motive akoma të panjohura, një person ka gjuajtur me armë në drejtim të një personi tjetër, i cili për pasojë ka mbetur i plagosur, ndërsa i dyshuari është arrestuar nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se viktima e këtij rasti është 41-vjeçari, Elsadat Bellagoshi.
Sipas informacioneve, ai është dërguar për të pranuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Para pak minutave, Sinjali ka raportuar se i dyshuari në lidhje me këtë rast është 32-vjeçari Kushtrim Zekaj, i cili me vendim të Prokurorit është ndaluar për 48-orë.
I dyshuari ka dorëzuar në Polici një armë me gaz me shtatë fishekë dhe një gëzhojë fisheku me gaz, të cilat dyshohet se janë përdorur në rastin e plagosjes.
Në lidhje me këtë rast, Policia ka kryer bastisje edhe në shtëpinë e të dyshuarit, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet në lidhje me zbardhjen e detajeve të tjera, ndërsa rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.