Prokuroria Themelore në Ferizaj bashkë me Policinë e Kosovës ka zhvilluar dje një aksion kundër drogës, të koduar si “Gropa”, që ka rezultuar me konfiskimin e 73 kilogramë heroinë dhe ndalimin e 15 personave. Grupi i të arrestuarve dyshohet se që nga muaji nëntor 2021 deri më 23 maj 2022, duke bashkëvepruar, kanë poseduar drogë me qëllim të shitjes, të cilën fillimisht si lëndë të parë e kanë marrë në Iran e pastaj përmes Turqisë e kanë sjellë në Kosovë.
Gjatë aksionit në tri lokacione që rezultoi me kapjen e 73 kilogramë drogë të llojit heroinë, janë konfiskuar edhe para të gatshme, telefona dhe vetura.
Sinjali ka mësuar se lokacionet ku u zhvilluan bastisjet janë tri shtëpi, ku pronarë janë tre nga 15 të arrestuarit në këtë aksion.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se fillimisht është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit Mufait Shabani, në fshatin Vardhosh të Ferizajt, ku është gjetur drogë dhe pajisje për prodhim, pasi e njëjta shtëpi është shfrytëzuar si laborator për përpunimin e substancës narkotike.
Lokacioni tjetër ku u zhvillua bastisje është shtëpia e të dyshuarit Besim Hyseni, në fshatin Firajë të Ferizajt, që është shfrytëzuar si laborator i drogës, ku janë gjetur po ashtu pajisje të ndryshme, si bombola gazi, acid, e preparate të tjera.
Kontroll është kryer edhe në shtëpinë e të ndalurit Afrim Dernjani në Ferizaj, ku gjithashtu janë gjetur disa pajisje që janë shfrytëzuar për ta sjellë drogën në Kosovë, si dhe pajisje për përpunimin e saj.
Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht se kush janë 15 të arrestuarit që u kapën gjatë këtij aksioni, ndaj të cilëve Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, si të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.