image Detaje ekskluzive: Pronarët e 'Euro Abi' dhe 'Dona Laberion' dyshohet se dhanë 980 mijë euro me fajde

Ekskluzive

Detaje ekskluzive: Pronarët e ‘Euro Abi’ dhe ‘Dona Laberion’ dyshohet se dhanë 980 mijë euro me fajde

news image

Orët e hershme të mëngjesit së të enjtes, Policia e Kosovës, Departamenti i Krimeve të Rënda në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me urdhër të Gjykatës ka kryer bastisje në dhjetë biznese në regjionin e Prishtinës, Ferizaj, Vushtrri e Lipjan. Ky aksion policor rezultoi me arrestimin e 14 personave, disa prej të cilëve pronarë të auto salloneve e kompanive të tjera, të dyshuar për fajde, detyrim e shmangie nga tatimi. Gjatë këtij operacioni, u konfiskuan mbi 20 vetura, rreth 84 mijë euro, armë e prova të tjera, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar detaje ekskluzive nga kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve, ku kërkohet paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Në mesin e bizneseve që u goditën nga shteti, janë kompania e cila bën prodhimin dhe distribuimin e lëngjeve ‘Dona Laberion’ dhe Ndërmarrja tregtare ‘Euro Abi’ që funksionon në tri njësi, dy prej tyre në magjistralen Prishtinë – Ferizaj dhe një në Graçanicë.

Pronarët e kompanive, Bashkim Osmani i ‘Dona Laberion’ dhe Shefik Rexhepi (tash Zeqiri) i ‘Euro Abi’, janë dy nga personat që dyshohen se kanë dhënë para me fajde.

Sipas kërkesës së Prokurorisë për paraburgim të cilën e ka siguruar Sinjali, në fund të vitit 2021, Shefik Rexhepi dhe Bashkim Osmani në bashkëkryerje me të dyshuarin tjetër, Gëzim Sinani, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarit, A.H., kanë kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë.

Në mënyrë që të paguante një obligim financiar për një objekt ndërtimor dhe në pamundësi për të marrë kredi në banka komerciale, i dëmtuari ka kërkuar para nga Gëzim Sinani, i cili më ka siguruar nga Shefik Rexhepi 430 mijë euro dhe nga Bashkim Osmani 550 mijë euro.

Pas kësaj, është kontraktuar një shumë e parave në vlerë të 98 mijë eurove, të cilën i dëmtuari ishte i obliguar ta paguante çdo muaj si fajde.

Sipas Prokurorisë, i dëmtuari për 11 muaj kishte pësuar dëm financiar në shumën prej 1 milion e 100 mijë euro në emër të fajdes. Arrestimi i Gëzim Sinanit gjatë aksionit policor në rastin ‘Brezovica’ në shtator të vitit të shkuar, ka bërë që këstet mujore të ndërpriten dhe borxhi kryesor ka mbetur në shumën prej 920 mijë euro.

Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se me anë të këtyre veprimeve, të dyshuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale ‘Fajdeja’.

Kush janë të arrestuarit e tjerë?

Listën me emrat e personave të arrestuar, nën dyshimin se kanë kryer tri vepra penale, Sinjali e ka publikuar ekskluzivisht ditën e aksionit.

image 17

Gazeta Sinjali në vijim do të publikojë edhe detaje tjera nga kërkesa e Prokurorisë për të arrestuarit gjatë aksionit policor që rrodhi nga hetimet e rastit ‘Brezovica’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/