Aksioni i zhvilluar nga Policia e Kosovës në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës kundër drogës në rrugën “Bejtush Gërbeshi”, rezultoi me katër persona të arrestuar dhe në mesin e tyre edhe Një zyrtar policor. Grupi i dyshuar u kap në flagrancë nga Policia dhe përveç lëndëve narkotike, u sekuestruan edhe armë ilegale. Veprimet e kundërligjshme i kushtuan me arrestim e ndalim policit, si dhe tre të dyshuarve të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Kush janë personat me të cilët zyrtari policor, Gentian Lecaj, për të cilin Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht, shoqërohej me ta dhe si grup përfunduan në pranga?
Siç merr vesh Sinjali ekskluzivisht se tre të dyshuarit për posedim të paautorizuar të narkotikëve që u arrestuan nga Policia janë Armat Ratkoceri (21), Albin Hasani(22) dhe Emir Istrefi (24).
Ndaj katër të dyshuarve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e tjera të nevojshme.
Polici Gentian Lecaj i arrestuar nga IPK ishte jashtë detyrës zyrtare, por megjithatë detyrimin për raportimin e rasteve të jashtëligjshme si çdo zyrtar tjetër policor, e ka për obligim, pavarësisht kohës apo vendit.
Përfshirja e tij në këtë rast, i kushtoi me masën e suspendimit për tri ditë, ndërsa arma e tij zyrtare dhe ID zyrtare janë sekuestruar.
Lecaj dhe tre të dyshuarit e tjerë u kapën në flagrancë me një sasi të substancës narkotike, të llojit kokainë – e gjetur te polici, ndërsa në veturë u gjetën edhe dy qese të tjera me kokainë e marihuanë.
Siç merr vesh Sinjali, te i dyshuari Hasani, Policia ka gjetur edhe një armë ilegale, që i njëjti e mbante pa autorizim – e që po ashtu u sekuestrua në cilësinë e provave materiale.
Pas përfundimit të proceduarve policore, me urdhër të prokurorit, është hapur rasti në drejtim të veprave penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe ”Armëmbajtje pa leje” – hetim ky që do të zhvillohet nga PK dhe IPK.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.