Një konflikt i mëhershëm mes palëve dyshohet se ishte motiv i të shtënave me armë zjarri sonte, te banesat e bardha në lagjen Bregu i Diellit 2 në Prishtinë. Nga gjuajtjet me kallashnikov fatmirësisht deri më tani nuk është raportuar për të lënduar. Sinjali ka zbuluar ekskluzivisht identitetin e të dyshuarit dhe detajet që lidhen me sherrin që eskaloi në përdorim të armës.
Siç merr vesh Sinjali, personi që po dyshohet për përfshirje në këtë rast Harbin Vitija, dyshohet për therjen me thikë të një të mituri mbrëmë, pikërisht në zonën ku ndodhi edhe sonte incidenti.
Për rastin e mbrëmshëm që ndodhi në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, ku u ther me thikë një 17-vjeçar, Sinjali raportoi sot me detaje.
Vitija u identifikua si person i dyshuar për këtë rast dhe akoma s’dihet nëse incidenti që ndodhi më herët ka ndërlidhje me therjen me thikë.
Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti është vazhdimësi e një konflikti të mëhershëm, pasi palët kanë pasur probleme edhe më herët – por jo direkt me viktimën e sherrit të sotshëm.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.