Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht sot për një aksion të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, të zhvilluar në rajonin e Prizrenit, ku cak ishin personat e dyshuar për përfshirje në veprat penale që lidhen me krimin e organizuar. Policia tashmë ka prangosur disa persona dhe janë zbuluar detaje të reja.
Sinjali ka mësuar se gjashtë persona përfunduan në prangat e Policisë dhe të njëjtit dyshohen për fajde, veprimtari kjo që dyshohet se e kanë kryer për një periudhë të caktuar.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se bastisjet janë kryer në qytetin e Prizrenit dhe në fshatin Korishë, ku janë kapur tre persona, ndërsa tre të dyshuar të tjerë janë arrestuar në fshatrat Shirokë dhe Dubravë të Suharekës.
Të njëjtit tashmë janë proceduar dhe pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme brenda afatit ligjor.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.