Gazeta Sinjali sot raportoi për një aksion të ndërmarrë nga Policia e Kosovës në objektin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke çuar në arrestimin e tre zyrtareve të kësaj ministrie.
Siç raportoi Sinjali, në pranga kanë përfunduar Flora Selimi, Edila Gosalci dhe Vjollca Vishaj. Të tria dyshohen për përfshirje në raste të veçanta të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Personazhet në fjalë janë emra të njohur edhe për opinionin publik për shkak të lidhjeve familjare me figura të njohura. Flora Selimi është nëna e këngëtarit të njohur, Getoar Selimi. Vjollca Vishaj është bashkëshortja e Binak Vishajt, ish-anëtar i kryesisë së AAK-së, ndërsa Edila Gosalci – Qupeva është bashkëshortja e Ramë Qupevës, ish-drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në të njëjtën ministri.
Vjollca Vishaj me burrin e saj, Binak Vishajt, ish-anëtar i kryesisë së AAK-së
Bashkëshorti i Edila Gosalci – Qupeva, Ramë Qupeva, ish-drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.
Sipas burimeve të Sinjalit, hetimet ndaj tyre kanë nisur prej disa muajsh dhe arrestimet janë bërë në kuadër të një operacioni të gjerë kundër korrupsionit në institucionet publike.
Operacioni është zhvilluar në prani të hetuesve të Njësisë për Krime Ekonomike dhe përfaqësuesve të Prokurorisë Themelore.
Kujtojmë që ditë më parë, Njësia për Krime Ekonomike e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë para dy ditësh në aksionin e koduar “Patenta” ku arrestuan gjithsej 11 persona.
Në mesin e njëmbëdhjetë personave të arrestuar është edhe Sadri Sutaj, djali i axhës së kryesuesit të Asamblesë së Komunës së Deçanit, Hajdar Sutaj. Krahas Sutajt, i arrestuar është edhe Kamer Shabani, Drejtor i Qendrës për Patentë Shofer në Gjakovë.
Të arrestuarit dyshohet se janë të përfshirë në keqpërdorime të rënda me procesin e testimit dhe dhënies së lejeve të vozitjes në qendrat e Patent Shoferëve në komunën e Gjilanit dhe Gjakovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/