Gazeta Sinjali raportoi dje ekskluzivisht për arrestimin e 43-vjeçarit Faton Cakiqi, i cili dyshohet se ka mashtruar së paku dy qytetarë me premtimet se do t’u ndihmonte në rregullimin e dokumenteve të ndryshme. I dyshuari u arrestua dje në mesditë, ndërkohë Sinjali ka mësuar detaje të reja ekskluzive se si dy të rinj ishin viktimë e mashtrimit të tij, duke paguar mijëra euro.
Si u raportua rasti dhe kur u zbulua i dyshuari?
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se fillimisht më 6 prill të këtij viti, ishin raportuar në stacionin policor “Jugu”, në Prishtinë, dy raste të mashtrimit, njëri për viza, ndërkaq tjetri në lidhje me grantet e një ministrie.
Rasti i parë i denoncuar
Njëri nga denoncuesit kishte njoftuar Policinë se ka qenë ndërmjetësues për disa persona, për rregullimin e vizave të punës për Slloveni, me ç’rast kishte lidhur marrëveshje me një person që do ta kryente këtë ‘shërbim’. Për rregullimin gjoja se të vizave të punës, viktima kishte paguar 9 mijë e 500 euro në vitin 2020. Por që nga ajo kohë deri në ditën e denoncimit, personi që premtonte ‘ndihmë’ ishte zhdukur, duke i lënë qytetarët hallexhinj edhe pa viza, edhe pa para.
Detajet e rastit të dytë
Sipas të njëjtave burime brenda Prokurorisë, i dyshuari Faton Cakiqi, në të dy rastet ishte prezantuar me një emër tjetër, duke mashtruar dy qytetarë. Personi i dytë që ra viktimë e tij, ka deklaruar në Polici, se i dyshuari ishte prezantuar me një dokument të shtetit zviceran, duke i premtuar se mund të fitojë një grant të Ministrisë së Bujqësisë, për çka ankuesi ka paguar një shumë të majme, prej 10 mijë eurosh. Por përveç shumës së parave, viktima e këtij rasti kishte blerë edhe material ndërtimor, të cilin ia kishe dhënë të dyshuarit.
Si u zbulua i dyshuari?
Sinjali mëson se në dëshminë e dhënë para hetuesve në Polici, viktimat kanë deklaruar se Faton Cakiqi dyshohet se ka bashkëpunuar edhe më një person tjetër dhe që nga viti 2020, kur edhe ua kanë marrë paratë, ata s’janë bërë më të gjallë.
Policia ka arritur që të identifikojë edhe të dyshuarin tjetër, që lidhet për këtë rast dhe i njëjti gjendet në Qendër të Paraburgimit, derisa të dyshuarit Faton Cakiqi i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Sinjali do të ju mbajë të informuar me detajet e reja të rastit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.