image Dështon për të tretën herë gjykimi ndaj 5 të akuzuarve për shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi

Drejtësi

Dështon për të tretën herë gjykimi ndaj 5 të akuzuarve për shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi

news image

Ka dështuar seanca gjyqësore për gjykimin e Muharrem Mavrajt, Ramadan Mavrajt, Xhelal Kastratit, Valdet Muriqit dhe Rexhë Kastratit, të akuzuarve për “shpëlarje parash” dhe “shmangie nga tatimi”, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo seancë dështoi për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të Flamur Mavrajt, Visar Vehapi, për arsye personale.

Kështu, seanca e sotme është shtyrë dhe ajo e radhës është caktuar më datë 26 gusht 2020, në orën 09:15, kur është planifikuar të dëgjohen dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Kjo është hera e tretë që nuk plotësohen kushtet për mbajtjen e seancave gjyqësore, për shkak se në seancën e caktuar për datën 12 mars 2020, kishte munguar i pandehuri Muharrem Mavraj, ndërsa më 19 qershor 2020 në gjykim nuk ishte i pranishëm i pandehuri, Flamur Mavraj.

Deri më tani, lidhur me këtë rast, është mbajtur vetëm seanca e shqytrimit fillestar, në të cilën të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, të pandehurit gjatë periudhës kohore 2010 – 2017, në vazhdimësi, me dashje, në bashkëveprim me njëri – tjetrin, duke e ditur se pasuria e fituar buron nga aktiviteti kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit dhe fshehjes të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë, kanë kryer deponime dhe tërheqje në të gatshme (kesh), në llogaritë individuale.

Me këto veprime, sipas PSRK-së, të pandehurit kanë kryer veprën penale “Pastrimi i parave”, e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës si dhe me Ligjin mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Po ashtu, në të njëjtën periudhë kohore,  në vazhdimësi, me qëllim të shmangies së pagimit të tatimit, tarifave ose kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj nuk kanë deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i kanë përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tyre, ashtu që kanë dhënë informata jo të sakta nga veprimtaritë e tyre afariste.

Në këtë rast, sipas aktakuzës së PSRK-së, të pandehurit me veprimet e tyre inkriminuese kanë konsumuar të gjitha elementet e veprës penale” Shmangie nga tatimi”./Gazeta Sinjali/