Për të katërtën herë ka dështuar seanca gjyqësore në Gjykatën e Gjilanit ndaj Kadri Ismajlit, i cili akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare si shef i Ekonomisë së Pyjeve në Viti, shkruan Gazeta Sinjali.
Shkak për dështimin e seancës së sotme ishte mungesa e kryetarit të trupit gjykues, Islam Thaqi, i cili mungoi për shkaqe shëndetësore.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Kadri Ismajli gjatë viteve 2016 dhe 2017 në Viti, në cilësinë e personit zyrtar, në hapësirat e Ekonomisë së Pyjeve, ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
Ai duke qenë në pozitën e shefit të Ekonomisë së Pyjeve në Viti i ka shitur drunjtë të cilët Ekonomia e Pyjeve i kishte lajmëruar si të vjedhura në Stacionin Policor në Viti.
Edhe seancat e datës 4 nëntor 2019, ajo e datës 17 janar 2020 dhe e datës 08 tetor 2020, kishin dështuar të mbahen. Kurse për seancën që duhej të mbahej sot, zyrtarisht nuk është caktuar ndonjë ditë se kur do të mbahet./Gazeta Sinjali/