image Dështon miratimi i rishikimit të buxhetit, Murati përplaset me opozitën

Politikë

Dështon miratimi i rishikimit të buxhetit, Murati përplaset me opozitën

news image

Ka dështuar të miratohet rishikimi i buxhetit për vitin 2022, pasi që kishte mungesë të kuorumit. Në Kuvendin e Kosovës në momentin e votimit në sallën plenare ishin vetëm 54 deputetë.

Diskutime për rishikimin e buxhetit pati mes ministrit të Financave Hekuran Murati dhe deputetëve opozitarë.

Murati tha se ky rishikim është i nevojshëm, pasi në tremujorin e parë të vitit 2022 ka pasur rritje të hyrave prej 17 për qind më tepër, andaj vlera që i shtohen buxhetit është mbi 150 milionë euro që përdorën në kuadër të ringjalljes ekonomike, mirëpo i njëjti u kritikua nga partitë opozitare dhe u konsiderua se s’ka asnjë ndikim pozitiv për vendin.

“Në tremujorin e parë të vitit 2022 kemi një rritje të të hyrave prej 17 përqind më tepër, krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kështu duke konsideruar për intervenime shtesë në mbështetje të qytetarëve, përkatësisht masat mbështetëse të prezantuara nga qeveria. Një rishikim të tillë, Ministria e Financave e ka parë si të domosdoshme. Vlera që shtohen në këtë rishikim është 150 milionë e 500 mijë euro, kurse rishikimi bëhet vetëm në Ministrinë e Financave në programin e ringjalljes ekonomike”.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se buxheti për vitin 2022 është konsumues dhe pa asnjë efekt zhvillimor.

“Ky buxhet është tërësisht konsumues pa asnjë efekt zhvillimor… Pjesa më e madhe buxhetore është planifikuar për politika ad-hoc, populiste të kryeministrit Kurti, pa asnjë efekt në ekonomi për të blerë paqen sociale me ata qytetarë që janë në nevojë”.

Kritika adresoi edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, madje e cilësoi edhe si të kundërligjshëm.

“Qysh ka mundësi që ju keni filluar ekzekutimin? I keni vendos 100 euro të gjithë punëtorëve në sektorin publik ende pa hyrë plotësim-ndryshimi në fuqi? Ku i keni marrë këto mjete dhe cilët zëra buxhetorë i keni prek?”.

/GazetaSinjali/