Gjykata Federale në Uashington e fajësoi gjigantin Google se me makinerinë e tij të kërkimit ka krijuar monopol ilegal. Shuma e gjobës që duhet të paguajë Google nuk dihet ende.
Gjyqtari federal, Amit Mehta, deklaroi gjatë shqiptimit të vendimit: “Google është monopolist dhe ka vepruar si i tillë, për të ruajtur monopolin”.
Vendimi u referohet shumave miliardëshe, që Google për vite me radhë u ka paguar sipërmarrjeve të tjera, për të siguruar instalimin paraprakisht të makinerisë së vet të kërkimit në aparaturat dhe browserat e internetit.
Lidhur me shumën e gjobës që duhet të paguajë Google si dhe të tjera pasoja që rrjedhin nga gjykimi do të vendoset në një moment tjetër.
Akuza është ngritur nga Ministria e Drejtësisë në SHBA kundër Google qysh në vitin 2020 nën presidencën e Donald Trump. Kësaj padie iu bashkuan edhe mbi dhjetë shtete federale të SHBA-së. Padia u vazhdua edhe nën presidencën e Joe Biden.
Vetëm vitin e kaluar Google ka paguar rreth 26 miliardë dollarë (rreth 24 miliardë euro) për kontrata ekskluzive për makinerinë e vet të kërkimit, pjesa më e madhe e pagesave është bërë me gjasë për Apple.