image Dëshmitarja kundër Mustafës në Hagë pretendon se ka marrë pjesë në një zhvarrim në Zllash

Drejtësi

Dëshmitarja kundër Mustafës në Hagë pretendon se ka marrë pjesë në një zhvarrim në Zllash

news image

Sot, në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Gjatë kësaj seance është dëgjuar dëshmitarja e shtatë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Pjesa më e madhe e dëshmisë së saj është dëgjuar mbyllur për publikun.

Kryetarja e trupit gjykues ka thënë se seanca do të vazhdojë nesër me të njëjtën dëshmitare të mbrojtur.

Dëshmitarja, e cila mban kodin W04676, në seancë publike ka thënë se ka qenë pjesë në një zhvarrim në fshatin Zllash.

Ajo ka thënë se kanë shkuar në një mal në thellësi të fshatit, së bashku me babanë e viktimës, për ta zhvarrosur atë.

Identiteti i saj nuk është i ditur për publikun sikurse roli i saj në ngjarjen e zhvarrimit në të cilën pretendon se ka qenë prezent.

Pyetjet e mbrojtjes së Mustafës kanë vijuar tërësisht të mbyllura, sikurse ato shtesë nga prokuroria.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar edhe gjashtë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendime për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm./GazetaSinjali/