image Dëshmitari i nëntë në gjykimin ndaj Salih Mustafës: E kemi gjetë një varr me dy trupa në të - Sinjali

Dëshmitari i nëntë në gjykimin ndaj Salih Mustafës: E kemi gjetë një varr me dy trupa në të

news image

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i nëntë në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës.

Dëshmitari i nëntë në gjykimin e Mustafës, tha se ka gjetur një varr me dy trupa, njërin prej të cilëve e njihte.

“Trupit të parë ia kemi zbulu ftyrën, e kemi pa që osht i panjofshëm edhe nuk e kemi prek ma, në tjetrën anë e kemi nxjerrë trupin tjetër që u kanë i njofshëm edhe e kemi mbulu prapë”, ka thënë ai.

Dëshmitari tregoi se pas dy ditësh kanë shkuar dhe e kanë nxjerrë nga varri personin që e njihnin dhe e kanë dërguar për ta varrosur në shtëpi.

“Mas dy dite kemi shku me traktor edhe e kemi marrë edhe e kemi pru prej shpie, e kemi varrosë”, shtoi ai.

Ndërkaq, për trupin e panjohur tha se e kanë lënë aty ku e kanë gjetur.

“Trupin tjetër veç e kemi mbulu me dhe edhe qaty ka metë”, ka vazhduar ai.

E për tiparet që e karakterizonin të panjohurin, dëshmitari tha se nuk e mbante mend mirë, pasi trupi kishte filluar të kalbej.

“Dy dhomtë e parë i ka pasë të gjatë edhe të zi, nëpër rroba nuk e kemi zbulu, veç ftyrën ia kemi zbulu. Ka pasë diku moshë mesatare…Nuk muj me thanë u doke si zeshkan po kish fillu me u prish, si zeshkan, i dobtë e ftyrën e gjatë”, tha ai.

Ndërkohë, seanca ka kaluar në dëgjim privat./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin