image Dëshmia e Hill para Dhomës së Përfaqësuesve: Ky pretendim është trillim i shërbimeve ruse

Botë

SHBA/ Dëshmia e Hill para Dhomës së Përfaqësuesve: Ky pretendim është trillim i shërbimeve ruse

news image

Ish-zyrtarja e lartë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, Fiona Hill tha të enjten gjatë dëshmisë në procesin hetimor ndaj Presidentit Trump se është “një trillim” se Ukraina, dhe jo Rusia, ndërhyri në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, në të cilat fitoi Presidenti Trump.

Gjatë dëshmisë së saj përpara Komisionit për Zbulimin të Dhomës së Përfaqësuesve, Fiona Hill kundërshtoi drejtpërdrejt Presidentin Trump, i cili është shprehur ndonjëherë se ekzistonte mundësia që Rusia të ketë ndërhyrë në zgjedhje, por se e pranon mohimin nga Presidenti Vladimir Putin se Moska pati ndërhyrë për të mbështetur Trumpin.

Në një telefonatë të zhvilluar më 25 korrik, e cila gjendet tashmë në epiqendër të hetimeve, Presidenti Trump i kërkoi Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy “të na bëjë një favor” duke çelur hetime për një nga rivalët kryesorë demokratë për zgjedhjet e 2020-tës, ish-Nënpresidentin Joe Biden, si dhe për teorinë e diskredituar se ishte Ukrania që punoi në vitin 2016-të për të ndihmuar sfidanten demokrate, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton.

Hill, e cila ishte deri në verë drejtore e lartë për Evropën dhe Azinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, tha se “bazuar në pyetjet dhe deklaratat që kam dëgjuar, disa prej jush në këtë komision duket se mendojnë se Rusia dhe shërbimet e saj të sigurisë nuk zhvilluan fushatë kundër vendit tonë – dhe se ndoshta, për ndonjë arsye, ishte Ukraina që veproi kështu. Ky është një trillim që është iniciuar dhe propaganduar nga vetë shërbimet ruse të sigurisë”.