Gjykata Themelore në Gjilan, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë të pandehurit nga komuniteti serb me inicialet D.P., për ngacmimin e togerit të FSK-së, po ashtu nga ky komunitet, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas aktakuzës, i pandehuri i ka dërguar togerit të FSK-së mesazhe kërcënuese, fyese dhe degraduese për integritetin e tij dhe të familjes, duke u linçuar publikisht nga persona të ndryshëm përmes rrjetit social, pasi që togeri kishte publikuar forografi të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj me uniformë ushtarake dhe flamuj të FSK-së.
“Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “ngacmimi” nga neni 182 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme dhe papërshtatshme”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit./Gazeta Sinjali/