image Dërgohet në paraburgim edhe i dyshuari i pestë për dhunimin ndaj 11-vjeçares në Prishtinë

Drejtësi

Dërgohet në paraburgim edhe i dyshuari i pestë për dhunimin ndaj 11-vjeçares në Prishtinë

news image

Shkelqim Kameri ka dalë sot para gjyqtarit të procedurës paraprake si i dyshuar për dhunimin ndaj 11-vjeçares në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së sigurisë ndaj Kamerit.

Sinjali mëson se 19-vjeçarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Kameri ishte i arrestuari i pestë lidhur me rastin, teksa babai i tij ka bërë të ditur për Sinjalin të martën se ka qenë vetë ai i cili e ka dorëzuar djalin e tij në Polici.

Ndërkohë në paraburgim janë dërguar edhe katër të dyshuarit tjerë për rastin e rëndë të dhunimit, ku viktimë është një vajzë e mitur.

Kjo ngjarje e tmerrshme ka ndodhur fillimisht në parkun e Dragodanit në Prishtinë, për të vazhduar më pas në një lokacion tjetër të panjohur.

Ekrem Rexhepi dhe vëllai i tij i mitur, G.Rexhepi, Xh.S., G.J., dhe Shkelqim Kameri, dyshohen se kanë keqtrajtuar seksualisht për rreth shtatë orë një 11-vjeçare.

Sipas dyshimeve të para, fillimisht tre të miturit, G.R., Xh.S. dhe G.J., dhunuan vajzën e mitur, në lagjen Arbëria në Prishtinë, për të shkuar më pas aty edhe 26-vjeçari Ekrem Rexhepi, të cilin e ka thirrur vëllai i tij, G.Rexhepi.

Ekremi po dyshohet se ka shkuar deri aty me veturën e tij ‘PickUp’ dhe e ka marrë vëllain dhe dy të miturit e tjerë të dyshuar bashkë me vajzën që po përjetonte tmerrin. Rrugës, te varrezat dyshohet se ka zbritur G.Rexhepi dhe i mituri Xh.S, ndërsa me Ekremin kishte vazhduar i mituri tjetër G.J.

Ata u larguan nga ai vend për një lokacion tjetër, ku pas një periudhe të shkurtër, Ekremi dyshohet se ka ndaluar veturën dhe e ka dhunuar vajzën e mitur. Për të mos mbaruar me kaq kjo ngjarje makabre, Ekremi dyshohet se më pas e ka thirrur edhe Shkelqimin.

Pas arrestimit, pesë të dyshuarit janë intervistuar dhe gjatë dhënies së deklaratave e kanë pranuar veprën për të cilën po dyshohen. Ndaj tyre Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit, shkruan Sinjali.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/