Një pako nga familjarët e Jakup Krasniqit e një nga familjarët e Rexhep Selimit janë dërguar deri më tani në Hagë.
Më 16 dhe 17 korrik u shënuan vizitat e para nga familjarët te të akuzuarit në Hagë.
Pas tetë muajsh, familjarët e Jakup Krasniqit dhe ata të Rexhep Selimit patën mundësinë që t’i takojnë nga afër më të dashurit e tyre.
Pos këtyre vizitave, këto dy familje tani kanë dërguar edhe pako te të akuzuarit në Hagë.
Këto dërgesa u mundësuan nga Ministria e Drejtësisë, e të cilat i kushtuan 125 euro buxhetit të këtij dikasteri.
“Ju njoftojmë se deri me tani kemi pasur dy kërkesa për dërgimin e pakove, nga familja e Jakup Krasniqit dhe familja e Rexhep Selimit. Janë dërguar në mënyrë individuale dy dërgesa ( vlera 125 Euro ), Ministria e Drejtësisë ende nuk ka kontraktuar asnjë kompani në mënyrë afat gjatë me kontratë”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për T7.
Ky ndërmjetësim mes familjarëve e të akuzuarve në Hagë po shihet si një veprim i vullnetit të mirë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
Kjo pasi që, sipas avokatit, Artan Çerkini, ka qenë obligim i Gjykatës Speciale e jo i ministrisë.
Sipas Çerkinit, një ballafaqim në mes të ministrisë e Speciales nuk do t’i konvenonte askujt.
E që më së shumti nga një polemikë e tillë do të pësonin ata që ndodhen në paraburgim.
Ministria e Drejtësisë përveç mbulimit të dërgimit të pakove, e vizitave të familjarëve, mbulon edhe pagesat e avokatëve mbrojtës./Gazeta Sinjali/