image Deputeti ukrainas që në KE foli për Kosovën sot në Prishtinë

Politikë

Deputeti ukrainas që në KE foli për Kosovën sot në Prishtinë

news image

Deputeti nga Ukraina, Oleksiy Goncharenko, ndodhet për vizitë në Prishtinë dhe sot pritet t’u drejtohet deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës me një fjalim në Kuvend.

Ai bëri bujë të madhe me fjalimin e tij në Këshillin e Evropës ku bëri thirrje për njohje të Kosovës.

Goncharenko gjithashtu ishte shprehur se planifikon të ketë një takim me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Saranda Bogujevci ishte kosovarja e parë që ka folur këtë të martë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, pasi delegacionit iu lejua edhe e drejta e fjalës këtë herë, përveç pjesëmarrjes, por ajo nuk ishte e vetmja që foli për Kosovën.

Oleksiy Goncharenko, anëtar i delegacionit të Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme në Këshillin e Evropës, me një fjalim pasionant, u bëri thirrje 12 anëtarëve të KiE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën “ta bëjnë menjëherë”.

“Ju lutemi ta njihni këtë vend si një shtet të pavarur. Ata luftuan për të ardhmen e tyre, për pavarësinë e tyre – duhet të ulen këtu bashkë me ne. Ata duhet të jenë pjesë e Këshillit të Evropës”, tha Goncharenko.

Në fund, në gjuhën shqipe, deklaroi se “Kosova është Evropë”.

Kjo nuk është hera e parë e as hera e fundit që politikani ukrainas do të flas për Kosovën, sepse siç thotë ai: “e di historinë dhe e di sa e vështirë ishte rruga e Kosovës drejt pavarësisë”.

Duke folur për AP, Goncharenko deklaroi se gjen shumë ngjashmëri mes asaj që aktualisht po ndodhë në Ukrainë dhe luftës së fundit në Kosovë.

“Gjenocidi që ndodhi atje, ngjarjet e tmerrshme dhe veçanërisht tash nëpër çfarë po kalojmë ne, besoj se këto dy ngjarje kanë shumë të përbashkëta dhe prandaj e ndjej se duhet ta mbështes Kosovën dhe do ta bëj edhe në të ardhmen”.

“Kosova është Evropë” në gjuhën shqipe ka mësuar ta thotë kur ishte për vizitë në Kosovë, në vitin 2008, kur u shpall pavarësia.

“Isha me fat që në vitin 2008 vizitova Kosovën. Më ka pëlqyer shumë Kosova, njerëzit dhe Prizreni veçanërisht që e konsideroj si një nga qytetet më të bukur që kam parë ndonjëherë”.

Por, udhëtimi në Kosovë shumë shpejt nuk do jetë vetëm një kujtim i bukur i vitit 2008, sepse në KiE Goncharenko u takua edhe me delegacionin e Kosovës dhe ata e kanë ftuar të vijë sërish në vizitë.

“Jam takuar me delegacionin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe jam ftuar që ta vizitojë Kosovën. Mbase do të ndodhë vizita në fund të tetorit”, tregoi për AP-në.

Veç thirrjeve në Asamblenë e Përgjithshme të KiE-së, Goncharenko thirrje për njohjen e Kosovës po bën edhe në vendin e tij, në Ukrainë.

Ukraina akoma s’e ka njohur Kosovën dhe politikani nga Odesa ka marrë një iniciativë që ta ndryshojë këtë gjendje të mosnjohjes.

Me 5 gusht, përmes llogarisë së tij në Twitter, pati njoftuar se ka dorëzuar draft-rezolutë në Verkhovna Rada (Parlamentin e Ukrainës) për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Goncharenko është deputet i pavarur dhe është opozitar. Ai s’ka grup të vetin parlamentar për ta shtyrë çështjen, por shpresë ka shumë.

Kauza është e drejtë dhe aftësitë e tij për ta artikuluar atë s’janë të vogla.

“Për momentin draft-rezoluta im për pavarësinë e Kosovës është në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme, s’ka ende vendim për të”, tregon Goncharenko.

Pse ka ngecur propozimi i tij më shumë se me vetë qëndrimin për Kosovën, ka të bëjë me lëvizjet delikate e më shumë kujdes që në këtë kohë Ukraina i bën në politikën e jashtme.

“Pozicioni i ministrisë së punëve të jashtme është që të mos nguten me hapa të mëdhenj”, thotë ai, “por unë do të vazhdoj të informoj ukrainasit për gjithë mbështetjen që po marrim ne nga Kosova dhe nga populli i Kosovës”.

/GazetaSinjali/