Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se orientimi i Qeverisë së Kosovës janë investimet në sektorin publik dhe krijimi i mundësive të reja për sektorin privat, transmeton Sinjali.
Ai ka thënë se do i mbështesin gratë sipërmarrëse dhe të rinjtë. Ai ka thënë se krijimi i Gjykatës Komerciale të cilin e planifikon Qeveria është edhe një siguri shtesë. Muja ka deklaruar se është i nevojshëm që të rikthehet akciza për importin e kafesë.
“Kemi disa ide dhe njëra prej tyre është që të rikthehet akciza e kafesë e cila është hequr në vitin 2010 për të favorizuar biznese të afërta me Qeverinë. Është e palogjikshme të paguajmë TVSH në ujë dhe bukë që e hamë dhe nuk paguajmë TVSH në arsim të lartë. Duhet inkurajohet fiskalizimi dhe duhet të inkurajohet investimet sidomos asistenca për bizneset që kanë qëllim eksporti”, ka thënë ai.
Muja gjithashtu ka deklaruar se ekonomia e Kosovës ka mbijetuar nga remitancat dhe dërgesat e tjera nga diaspora. Ai ka thënë se duhet të krijohen politika të cilat e përfshijnë më shumë diasporën në jetën ekonomike./Gazeta Sinjali/