Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së sotme tha se Kodi Civil pritet të hidhet në votim në Kuvend sërish gjatë këtij viti, raporton Gazeta Sinjali.
Ajo madje është shprehur optimiste se këtë herë do ta këtë përkrahjen e deputetëve të VV-së, të cilët nuk e votuan herën e parë Kodin e ri, ku mes tjerash parashihet edhe martesa mes gjinive të njëjta.
Megjithatë, ky lajm është përgënjeshtruar shpejt nga njëri prej deputetëve të kësaj partie, Eman Rrahmani, i cili njihet për qëndrimin e tij kundër këtij projektligji.
Në një prononcim për Sinjalin, deputeti Rrahmani ka thënë se ai nuk ka ndryshuar qëndrim rreth kësaj çështje, duke shtuar se ai është bindur se ky projektligj madje as nuk do të kthehet këtë mandat në Kuvend.
“Nuk mendoj që një njeri i cili jep një deklarim për një çështje, mund të ketë një ndryshim, përderisa ajo është çështja e njëjtë dhe problemi i njëjtë. Absolutisht që jo (s’kemi ndryshuar qëndrim).
I pyetur pasi ministrja Haxhiu ka paralajmëruar disa ndryshime në projektligj, Rrahmani theksoi se nëse këto ndryshime janë bërë, ato janë dashur të prezantohen, duke lënë të nënkuptojë që nuk ka pasur ndonjë ndryshim sa i përket këtij projektligji.
Sipas tij, Kodi Civil është një projektligj shumë voluminoz dhe çështja që ata e kanë kundërshtuar ka të bëjë me dy nene në Kodin Civil, i cili kundërshtohet prej shumicës së deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Rrahmani shton se me përmbajtje të njëjtë, ai është i sigurt që këtë mandat nuk kthehet ky projektligj.
Ndërkohë ministrja Haxhiu gjatë deklarimit të saj sot rreth këtij projektligji, tha se ky kod është shumë i rëndësishëm për avancimin e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe për integrimin në BE, sidomos në prag të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Siç jeni në dijeni, Kodi Civil është në agjendën legjislative, është një dokument i rëndësishëm që ka të bëjë me avancimin e të drejtave të njeriut. Unë nuk mendoj që ka qenë e drejtë që janë marrë vetëm me një nen sepse trajton shumë institute, është thjesht në interes të qytetarëve të Kosovës, prandaj të gjitha partitë politike, mazhoranca e opozita e kanë për obligim që ta mbështesin atë, megjithatë ne gjatë kësaj kohe kemi qenë në diskutime me Grupin Parlamentar, me deputetët të cilët kanë pasur mendime të ndryshme nga atë që e përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje por unë jam optimiste që kësaj radhe, gjegjësisht brenda këtij viti në momentin kur do ta procedojmë në Qeveri dhe në Kuvend, nuk do të dështojë sikurse herën e kaluar”, ka thënë Haxhiu.
Kundër, Projekt Kodit Civil në herën e parë kanë votuar këta deputetë: Labinotë Demi – Murtezi (LVV), Eman Rrahmani (LVV), Burim Karameta (LVV), Gramoz Agusholli (LVV), Visar Korenica (LVV), Driton Hyseni (LVV), Fitim Haziri (LVV), Drita Millaku (LVV), Fjolla Ujkani (LVV), Ekrem Mustafa (LVV), Alban Bajrami (LVV), Valon Ramadani (LVV), Milazim Salijaj (LVV), Nijazi Isaku (LVV), Besnik Tahiri (AAK), Time Kadrijaj (AAK), Pal Lekaj (AAK), Bekë Berisha (AAK), Albana Bytyçi (AAK), Mërgim Lushtaku (PDK).
Kundër kanë votuar edhe deputetët e komuniteteve jo-shumicë.