image Deputeti i LVV-së del kundër bashkëpartiakes: Do të përballem me të gjithë që mendojnë ashtu

Kosovë

Reagim/ Deputeti i LVV-së del kundër bashkëpartiakes: Do të përballem me të gjithë që mendojnë ashtu

news image

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, i ka reaguar bashkëpartiakes së tij, Donika Gashit, e cila u shpreh e irrituar me faktin se gratë po kërkojnë hapjen e çerdheve.

Çeku ka thënë se qasja e Gashit është gabim dhe shkakton shtypje, diskriminim e dhunë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Është gabim t’ua tregosh grave vendin, duke bërë me gisht nga shtëpia. Njëra ndër shkaqet kryesore pse jemi vend me demokraci e ekonomi të pazhvilluar është pikërisht kufizimi i hapësirës së veprimit për gratë. E brenda asaj hapësire rëndom ka shtypje, diskriminim dhe dhunë”.

“Sikurse shembujt e tjerë nëpër botë, edhe shteti ynë do të arrijë nivele prosperiteti kur gratë dhe burrat bashkë, me barazi e solidaritet mes tyre do të merren me të gjitha punët. Nga kuzhina te ndarja e drejtësisë, nga rritja e fëmijëve te qeverisja, të bërit biznes, gazetaria dhe sferat e tjera” ka shkruar Çeku.

Ai ka thënë se do të përballet me këdo që mendon se gratë s’mund të merren me të gjitha punët.

“Unë gjithmonë kam besuar në këtë standard. Prandaj, si dje e sot, edhe në të ardhmen do të angazhohem për barazi mes grave e burrave. Dhe për asnjë moment nuk do të hezitoj të përballem me të gjithë që mendojnë ndryshe, kushdo e kudo qofshin ata ose ato”, ka shkruar ai.

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gashi, ka thënë se nënat në këtë kohë pandemie po bëhen neveritëse duke kërkuar hapjen e çerdheve.

Ish-artistes që në vitin 2018 hyri në politikë duke u anëtarësuar në LVV, po i pengon fakti që disa gra duan t’i kthehen shpejt jetës normale, e kësisoj edhe punës/profesionit.

Ndaj deklaratave Donika Gashit nuk është distancuar ende Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, e kishte cilësuar vlerë dhe vlerësim për partinë e tij, faktin e anëtarësimit të Donika Gashit në vitin 2018.

“Sot na u bashkua në Lëvizjen tonë, Donika Gashi, poete dhe qytetare prishtinase. Anëtarësimi i Donikës është vlerë dhe vlerësim për VETËVENDOSJE!-n. Na presin shumë punë bashkë, sidomos për rininë dhe artin e kulturën në vendin tonë”, kishte thënë Kurti. /Gazeta Sinjali/