image Deputeti i BDI-së tregon se a gjuajti me armë dhe si u plagos djali i tij

Kosovë

Aheng/ Deputeti i BDI-së tregon se a gjuajti me armë dhe si u plagos djali i tij

news image

Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi mohon të jetë përfshirë në incidentin me armë zjarri në një dasmë në Reçicë të Vogël të Tetovë, ku djali i tij dhe një person tjetër mbetën të plagosur nga plumbat e shkrepur nga pjesëmarrësit në këtë aheng familjar.

Deputeti i BDI-së nuk deshi të flet para kamerës së Alsat por në një bisedë telefonike tha se ka marrë pjesë në këtë aheng familjar, po kategorikisht hedh poshtë pohimet se ka gjuajtur me armë zjarri.

Reagimi i deputetit Ademit vjen një muaj nga incidenti që hapi debate të shumta në opinion, por edhe apostrofimit të tij si shkaktar kryesor i ngjarjes tragjike.

“Është e vërtetë se unë dhe familja ime kemi qenë pjesëmarrës në këtë aheng familjar ku dhjetëra persona në mënyrë të pahijshme kanë gjuajtur me armë zjarri, por nuk është aspak e vërtetë se kam gjuajtur. Unë dhe familja ime kemi qenë të ulur në një tavoline dhe i biri im ka qenë i ulur përballë meje, ndërkohë që plumbi e ka goditur në shpinë. Kjo që tregon se edhe po të kisha gjuajtur unë, plagosja e tij nuk do ishte e mundur sepse biri im ka qenë ulur përball meje”, tha deputeti Ademi.

Ai pranon gjithashtu se është marrë në pyetje nga policia lidhur me rastin ndërsa kërkon zbardhjen e shpejtë të rasti për të larguar dyshimet që janë paraqitur në opinion.

“Unë kam qenë i ftuar në polici dhe kam dhënë deklaratën, si dhe më kanë marrë parafinën e duarve, andaj, inkurajoj si policinë po ashtu edhe prokurorinë që të bëjnë punën e tyre dhe ta zbardhin rastin deri në fund. Unë assesi nuk kam përdorur armë në këtë aheng familjar, madje dënoj ashpër përdorimet e armëve nëpër ahengje të tilla, ku shpesh e pësojnë të pafajshëm”, tha Ademi.

Për këtë incident dhjetëra persona janë thirrur në polici për të dhënë dëshmitë e tyre, por ende nuk ka një epilog konkret, se kush ka qenë autori i gjuajtjes më armë që la të plagosur të rinjtë A.B. dhe F. A. nga Reçica.

Nga prokuroria e Tetovës thonë se lënda është në fazën para hetimore dhe se pritet nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, të bëhet kompletimi i lëndës që më pas të procedohet në gjykatë. 

Ndryshe, për përdorim të armëve nëpër ahengje familjare, vitin e shkuar ka pasur mbi pesëdhjetë denoncime dhe ndaj tre personave janë marrë masat adekuate dhe procedura ka përfunduar, ndërsa për 6 raste të tjera, procedura ende vazhdon./AlsatM