Sot u konstitua Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, por anëtarët e këtij komisioni nuk arritën të votonin fushëveprimtarinë e tij, pasi ata nuk e kishin të qartë se cilës ministri i takon mirëqenia sociale, pas fuzionimit të ministrive. Andaj anëtarët e këtij komisioni kërkuan përgjigje të shkruar nga Qeveria Kurti për këtë çështje.
Kryetarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deklaroi se ishin mbledhur për ta votuar mbledhjen konstituive të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, por siç thotë ajo për shkak të paqartësive se në cilin dikaster është shpërndarë mirëqenia sociale, u vendos që mbledhja e votimit të shtyhet.
Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës duhet që sa më shpejtë të dërgojë një shkresë zyrtare, se kujt i takon kjo ministri e pastaj të vazhdojnë me mbledhjet e radhës.
“Sot në mbledhjen konstituive të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ne nuk e kishim të qartë saktë se në cilat dikastere është shpërndarë pjesa e mirëqenies sociale, për këtë arsye nuk arritëm ta votojmë fushëveprimin e këtij komisioni, gjegjësisht përgjithësitë që do t’i ketë dhe kujt do t’i kërkojë llogari, cilave dikastere do t’i kërkojë llogari për mbarëvajtjen e punës dhe ligjeve. Prandaj, u shty për një mbledhje tjetër për shkak se ne nuk kishim informacione të sakta zyrtare se ku janë shpërnda këto përgjithësi. Mendoj që është shumë me rëndësi qeveria të sjellë informacionet e definuar saktë që ne pastaj të vazhdojmë me punën”, u shpreh Reshitaj.
Pavarësisht që fushëveprimtaria e këtij komisioni nuk u votua, Reshitaj bëri të ditur se Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale duhet të jetë shembull i bashkëpunimit pa dallime partiake.
Kërkesë për qartësim lidhur me ministrinë e cila e ka nën ombrellë mirëqenien sociale, pati edhe anëtari i këtij komisioni, ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili.
Ismaili theksoi se urgjentisht duhet një shkresë zyrtare nga qeveria, në mënyrë që në komisionet tjera të mos kenë këso konfuzione.
“Besoj që është e rëndësishme që komisioni ta ketë një qartësi në atë se kanë e ka në anën tjetër në qeveri, ta quaj bashkëpunëtor apo si përgjegjës mbi politikat në të cilat ne jemi të thirrur. Nëse ne nuk kemi adresë se të cili ministër ose te cila ministri duhet të bashkëpunojmë, atëherë konsideroj se na lenë pa e dhënë kontributin tonë në këtë rast dhe i lë edhe qytetarët pa një kontroll të rëndësishme, siç është komisioni parlamentar. Më duket se ka një lloj konfuzioni në atë se cila ministri realisht i përgjigjet këtij komisioni ose cili ministër i përgjigjet këtij komisioni, përpos Ministrisë së Shëndetësisë, pra Ministrinë e Shëndetësisë e kemi të qartë, mirëpo në aspektin e mirëqenies sociale, komisioni ende nuk e ka të qartë për shkak të atyre ndryshimeve të shpejta që janë bërë në qeveri dhe besoj se na duhet një qartësim zyrtar”, u shpreh Ismaili.
E deputetes Mirlinda Sop-Krasniqi nga Aleanca Kosova e Re, iu duk joserioze thirrja në këtë komision pa e ditur akoma titullin e këtij komisioni.
“Imagjinoni kemi problem me titullin. Së pari, për çka jemi thirrë sot në mbledhje? Vetëm zotëri Uka dhe zotëri Haxhiu e kanë informacionin se pjesa e mirëqenies sociale do t’i kalojë Ministrisë së Financave, ne nuk kemi informacion edhe kjo është shqetësuese sepse nuk jemi informuar me kohë dhe aq më tepër që në komisione nuk shkohet me të thënë, po me të shkruar edhe normalisht që kishte me qenë mirë që me pas ne para vetës dokument i cili e dëshmon qartë cila është fushëveprimtaria e këtij komisioni, për të cilin jemi mbledhur sot këtu”, u shpreh Krasniqi.
Ajo gjithashtu tha se do të ishte mirë që komisioni i kaluar të dorëzojë një dosje se deri ku kanë shkuar me punë e që komisioni i ri t’i vazhdojë ato punë.
Ndryshe, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi janë: Albena Reshitaj AAK, Haxhi Avdyli LDK, Labinotë Demi-Murtezi VV, Fitim Uka VV, Ekrem Hyseni LDK, Uran Ismaili PDK, Bekim Haxhiu PDK, Milos Peroviq Lista Serbe, Miranda Sopi-Krasniqi AKR./Gazeta Sinjali/