Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit “i përshëndetën dhe falënderuan” pjesëtarët e Policisë së shtetit, duke mosvotuar rezolutën për mbështetje të tyre financiare.
Gazeta Sinjali
Në mungesë të kuorumit dështoi dje të mbahet mbledhje e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, në të cilën ishte paraparë të shqyrtohej peticioni i Sindikatës së Policisë se Kosovës. Kjo për shkak se munguan deputetët nga mazhoranca.
Megjithatë, kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, i tha disa fjalë për policët që përfaqëson, pasi deputetët vendosën të mbajnë dëgjim publik.
Kryesindikalisti renditi sërish kërkesat e Policisë që janë dhjetë dhe që janë shkruar në peticionin e nënshkruar nga pjesëtarët e policisë së Kosovës.
“Ju kisha lutë mos e boni kauzë Policinë e Kosovës. Nuk kemi tjetër partner social, përveç Qeverisë së Kosovës. Me disa gjana po na dëmtoni, mos na përdorni. Lutje publike nga gjithë policët e Kosovës, zgjidhini problemet tona. Asnjë qeveri s’është marrë me kërkesat tona”.
“Policia e Kosovës është e të gjithëve, për të gjithë. E keni humbur arsyen. Nuk politizohet secili sektor”, tha Zeqiri, shkruan Gazeta Sinjali.
Çfarë kërkon Policia?
5 mijë e 623 policë të Policsë së Kosovës, kanë dhjetë kërkesa specifike për shtetin, dhe paralajmërojnë se është koha e fundit që ato të rezlizohen.
Kërkesat e tyre janë të renditura më poshtë:
1. Ligji i pagave;
2. Shtesa e rrezikshmërisë në punë;
3. Shtesa për punë të veçantë;
4. Klasifikimi në koeficient për stafin civil;
5. Shujta mujore;
6. Shpërblimi pë fund vit për performancë të mirë;
7. Tre paga përcjellëse për të pensionuarit;
8. Zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para;
9. Sigurimi shëndetësorë dhe jetësor;
10. Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës
Por, këto kërkesa të Policisë duket se nuk janë relevante për deputetët e grupit më të madh parlamentar në Kuvend, Lëvizjes Vetëvendosje.
Këta të fundit sikur në Komision dje, nuk u shfaqen fare as pardje në Kuved kur u thirr seancë e jashtëzakonshme për votimin e Rezolutës për “mbështetjen urgjente financiare për Policinë e Kosovës”.
Kështu ligjvënësit e Lëvizjes Vetëvendosje “i përshëndetën dhe falënderuan” pjesëtarët e Policisë së shtetit, duke mosvotuar rezolutën për mbështetje të tyre financiare.
Kurti dy javë më parë u tha qytetarevë “përshëndetni dhe falënderoni policët e Kosovës kudo që i shihni”, pas intervenimit të tyre në rastin e Banjskës.
Megjithatë, deputetët e tij hezituan ta bëjnë “përshëndetjen” më votë, “përshëndetje” kjo që të lehtësonte punën e Policisë, votë kjo e cila nuk u dha për të dytën herë radhazi, shkruan Gazeta Sinjali.
Seanca e jashtëzakonshme që më 12 tetor ishte paraparë të niste nga ora 11:00 ishte thirrur nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në emër të deputetëve nënshkrues.
“Policia e Kosovës, si njëri prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në Republikën e Kosovës, zyrtarët e të cilës me vetëmohim dhe përgjegjësi të lartë, në çdo kohë e çdo rrethanë, janë në nivelin më të mirë të detyrës, për fat të keq janë diskriminuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Fakti se, që nga hyrja në fuqi (05 shkurt 2023) e Ligjit 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, zyrtarëve policor i është ndalur shtesa e rrezikshmërisë, paraqet një vendim te padrejtë që ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre, të familjeve të tyre por edhe në vullnetin dhe motivin përballë punës së perditshme sfiduese. Janë bërë tetë muaj që Policia e Kosovës nuk është duke i gëzuar shtesat e rrezikshmërisë”.
“Që nga fillimi i ndalimit të kësja shtese, ka pasur paqartësi dhe premtime të mbajtur nga zyrtarët qeveritarë. Policia e Kosovës është ende në pritje të ekzekutimit të kësaj pagese”, thuhej në kërkesën për seancë.
Aty theksohej se është koha e fundit për të marrë masa të menjëhershme për miratimin e ligjit për pensionim të parakohshëm dhe pagesën e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë.
Dokumenti përmbante edhe nënshkrimet e 33 deputetëve të: Grupit Parlamentar të PDK-së, të LDK-së dhe AAK-së, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndryshe, sipas draft-rezolutës thuhet se duhet të obligohet Qeveria që brenda afatit prej 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, të bëjë ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare pë pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës dhe atë në mënyrë retroaktive nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik (për secalin muaj).
Të obligohet Qeveria që të propozojë buxhetin e nevojshëm-për vitin e ri fiscal 2024 për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë të Kosovës nga janari 2024 dhe të obligohet Qeveria që brenda afatit prej 60 ditësh nga miratimi i kësaj resolute, të marrë nismën për harimin, propozimin dhe miratimin e Projektligjit për Pensionim të Parakohshëm të zyrtarëve policorë të Policisë dhe punonjësit e Inspektoratit.
Dhe të zotohet që shqyrtimi parlamentar i Projektligjit nga pika 3 e kësaj resolute, të bëhet në procedurë të përshpejtuar në pajtim me rregullat e punës së Kuvendit.
Një Kosovë u krenua me Policinë, por pjesëtarët e saj vazhdojnë të shërbejnë pa sigurim dhe shtesa
Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë.
Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën, shkruan Gazeta Sinjali.
Pasi shtiu ndaj zyrtarëve policorë, grupi i armatosur iku dhe u strehua në manastirin e Banjskës, ku i vazhdoi përleshjet me policinë e Kosovës.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serbë, ndërsa i arrestoi gjashtë të tjerë, shkruan Gazeta Sinjali.
Pas këtij momenti populli i Kosovës dhe institucionet e vendit shprehën krenarinë e tyre për pjesëtarët e Policisë që vun nën kontrollën situatën e krijuar në Banjskë.
Por, gjithë atë aksion policët e përfunduan pa qenë të siguruar për shendetin dhe jetën e tyre, shkruan Gazeta Sinjali.
Për këtë çshtje ka reaguar edhe Imer Zeqiri, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Ai në një deklaratë për Gazetën Sinjali ka thënë se ende nuk është bërë asgjë për sigurimin e jetës së pjesëtarëve të Policisë.
“Sa i përket sigurimit shëndetësor nuk është bërë asgjë dhe nuk kemi asnjë përgjigje në kërkesat tona”.
Ndërkohë, shtoi se të njëjtit nuk marrin më as shtesa për rrezikshmërinë në punë, që nga implementimi i Ligjit të Pagave.
“Shtesat për rrezikshmëri nuk janë marrë që nga implementimi i ligjit të pagave dhe deri me sot në këtë kohë nuk kemi asnjë vendim apo njoftim se a do të ndodh pagesa e shtesave për rrezikshmëri”, tha Zeqiri për Gazetën Sinjali.
Që nga themelimi i Policisë së Kosovë, 24 vjet më parë, pjesëtarët e saj vazhdojnë të punojnë pa sigurim shëndetësor dhe jetësor.
Kërkesa për sigurim shëndetësor dhe aksidental për Policinë e Kosovës është e kahmotshme, por që deri më tani, asnjë nga qeveritë e deritashme të Kosovës nuk ka arritur ta plotësojë.
Ndryshe, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj, në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës së vendit, garantimin e rendit dhe sigurisë, në mënyrë që të ofrojë një shërbim efikas policor dhe profesional ndaj të gjithë qytetarëve.