image Bllokimi i kosovarëve në kufi dhe ndalimi i policit, DASH: Presim lirimin e menjëhershëm të zyrtarit policor

Politikë

Bllokimi i kosovarëve në kufi dhe ndalimi i policit, DASH: Presim lirimin e menjëhershëm të zyrtarit policor

news image

Nga orët e para të së mërkurës, mbi 1.400 qytetarë të Kosovës ishin bllokuar në Serbi, në pikë kalimin me Kroacinë. Në mesin e tyre ishte edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, i cili vazhdon të mbahet nga shteti serb.

Për këtë çështje ka reaguar sot Departamenti amerikan i Shtetit.

“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin”.

“Shpresojmë për lirimin e menjëhershëm të oficerit të mbetur të Policisë së Kosovës, i cili është ende i ndaluar nga autoritetet serbe”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 18 prill.

Sipas DASH, marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 2011 në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, “ofron parametra të qarta për hyrjen dhe daljen e qytetarëve kosovarë në dhe jashtë Serbisë”.

“Siç ka theksuar Bashkimi Evropian, vonesat si këto të fundit, përbëjnë shkelje të kësaj marrëveshjeje”, tha DASH.

Sipas marrëveshjes për lirinë e lëvizjes “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim”.

Departamenti i Shtetit tha se të gjitha palët duhet t’u shmangen veprimeve që mund ta rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Ndryshe, Kosova ka akuzuar Serbinë se me veprimet e fundit ka kryer shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe ka shkelur marrëveshjet e arritura në dialog, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kosova ka thënë se ndalimi dhe “maltretimi” i shtetasve të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi, u bë “në shenjë hakmarrjeje” pasi më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Edhe blloku evropian një ditë më parë tha se Serbia, me ndalimin e udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova, në kufijtë e saj me Hungarinë dhe Kroacinë, ka shkelur Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Serbia ka thënë se do të punojë që Kosova të mos pranohet në këtë organizatë gjatë mbledhjes së Këshillit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.

/GazetaSinjali/