image Dënohet për korrupsion asamblistja e AAK-së në Gjilan

Drejtësi

Dënohet për korrupsion asamblistja e AAK-së në Gjilan

news image

Gjykata Themelore në Gjilan në shtator të këtij viti ka shpallur fajtore këshilltaren e Asamblesë Komunale në Gjilan nga radhët e AAK-së, Arta Nuhiu. Ajo është  akuzuar nga prokuroria për mos deklarim të pasurisë, duke i shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 400 euro.

Në dispozitivin e aktgjykimit thuhet se të pandehurës Arta Nuhiu, për veprën penale, “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”,  nga neni 430 paragrafi 1 të KPRK, i shqiptohet dënimi me gjobë në shumë prej 400  euro, të cilin do ta paguaj në afat prej 60 ditë, pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktgjykimin e datës 28 shtator 2021, rrethanat që janë marrë për bazë me rastin e shqiptimit të dënimit Gjyqtari i vetëm gjykues, Gjyqtari me rastin e shqiptimit të dënimit ka vlerësuar se duhet të pranohet pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurës, ku pranimi i fajësisë ishte bërë në shqyrtimin fillestar.

Sipas arsyetimit është vlerësuar se ky dënim do të jetë dënim i drejtë dhe në harmoni me peshën e veprës penale, ashtu që për të pandehurën Arta Nuhiu si rrethanë lehtësuese ka marrë faktin se e akuzuara ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, i ka premtuar gjykatës që në të ardhmen nuk do të kryej vepra tjera penale, ndërsa si rrethana rënduese gjykata merr për bazë rrezikshmërinë shoqërore të kësaj vepre penale dhe përgjegjësinë penale të pandehurës.

Ndryshe sipas aktakuzës, në cilësinë e zyrtares së lartë publike, këshilltare e Asamblesë Komunale në Gjilan, duke qenë e detyruar me Ligj të bëjë deklarimin e pasurisë për vitin 2020 dhe atë brenda periudhës kohore 01.03.2021 e deri me datë 31.03.2021, edhe pse e akuzuara ka qenë e informuar për këtë obligim nuk e ka bërë një gjë të tillë brenda afatit. /GazetaSinjali/