image Dënohet me gjobë ish-zëvendësministri për Komunitete, s'e raportoi pasurinë brenda kohës

Drejtësi

Dënohet me gjobë ish-zëvendësministri për Komunitete, s’e raportoi pasurinë brenda kohës

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Selim Kryeziu, ish-zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim, duke e dënuar me 300 euro gjobë për mosraportim të padurisë brenda afatit ligjor.

Kryeziu akuzohej se nga 23 mars deri më 21 prill 2021 në Prishtinë, në cilësi të zyrtarit të lartë publik, si ish-zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim, me dashje nuk e ka bërë këtë deklarimin e pasurisë në afatin e paraparë ligjor, ndonëse ka qenë i detyruar të bëjë pas mbarimit apo shkarkimit nga funksioni.

Shpallja e aktgjykimit, u bë të enjten nga gjykatësi i rastit Ertan Sejfullahu.

Sipas aktgjykimit, përveç gjobës, i akuzuari obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 euro dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 30 euro.

Kundër këtij aktgjykimi, palët pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.

Paraprakisht, i akuzuari Kryeziu ka pranuar fajësinë gjatë shqyrtimit gjyqësor, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa.

Kryeziu ka thënë se e pranon fajësinë, pasi deklarimin e ka bërë me vonesë, ngase është hera e parë që ka ushtruar funksionin e zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim.

“Deklarohem fajtor, është hera e parë që kam ushtruar një funksion të tillë, është hera e parë që kam rënë ndesh me ligjin nga mungesa e informacionit dhe jo me dashje. Jam penduar, do të jem më i kujdesshëm në raste të tilla, i premtoj gjykatës që do të jem më i kujdesshëm në raste të tjera të tilla, shpreh keqardhje”, ka thënë tutje Kryeziu.

Ndërsa, ka shtuar se pas njoftimit nga Agjensioni Kundër Korrupsioni (AKK) e ka deklaurar pasurinë, pasi nuk ka pasur asnjë lloj tendence për të fshehur diçka.

Kurse, gjatë fjalës përfundimtare, i njëjti ka thënë se është fajtor pasi nuk ka deklaruar pasurinë në afatin e caktuar, por e ka bërë me vonesë, megjithatë tha se gjithsesi deklarimin e kishte bërë.

Prokurori Mustafa u pajtua me pranimin e fajësisë nga i akuzuari Kryeziu, duke thënë se i njëjti këtë e ka bërë në mënyrë vullnetare dhe ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Ndërsa, theksoi se i akuzuari nuk e ka bërë deklarimin brenda afatit të paraparë ligjor, por e ka bërë me vonesë dhe vetëm pas kërkimit të sqarimeve nga AKK-ja.

Në fund, prokurori Mustafa gjykatës i ka propozuar që të pandehurin ta shpallë fajtor, ta dënojë sipas ligjit, por që me rastin e dënimit të marrë për bazë të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Në këto rrethana, gjykata përmes aktvendimit e pranoi fajësinë e të akuzuarit Kryeziu dhe më pas u shpall aktgjykimi.

Ndryshe, në fillim të seancës gjykatësi Sejfullahu deklaroi se lidhur me kundërshimin që i akuzuari ka paraqitur me shkrim në afatin ligjor lidhur me vendimin e gjykatës për urdhër ndëshkimor, është marrë vendim që i njëjti aktgjykim i datës 17 dhjetor 2021 i marrë sipas propozimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të aprovohet.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 dhjetor 2021, nga 23 mars 2021 deri më 21 prill 2021 në Prishtinë, në cilësi të zyrtarit të lartë publik, si ish-zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim, edhe pse sipas Ligji nr. 04/L- 050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, i pandehuri Selim Kryeziu ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë pas mbarimit apo shkarkimit nga funksioni, i pandehuri Kryeziu me dashje nuk e ka bërë këtë deklarim në afatin e paraparë ligjor.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal. Betimi për Drejtësi.

/GazetaSinjali/