Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në nëntor të 2015-ës, raporton Gazeta Sinjali.
Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi.
Në fjalën e tij përfundimtare, Pajazitaj i kishte mohuar akuzat ndaj tij, duke thënë se ai nuk ka as njohuri dhe as dijeni për vrasjen e Donjetës.
“Ndjej shumë keqardhje për atë çka i ka ndodhur familjes Pajazitaj, sikur me më pas ndodh mua, betohem se nuk kam njohuri dhe as dijeni për vrasjen e asaj vajze”, ka thënë i akuzuari.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naser Pajazitaj akuzohet se më 09.11.2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, në vendin e quajtur te ’”Kroni i Lajthisë”, duke qenë edhe me parë i dënuar për vepër penale të vrasjes së rëndë, me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajaziti, nga po i njëjti fshat.
Në aktakuzë thuhet se në ditën kritike, derisa Donjeta ka qenë duke shkuar në punë në këmbë, në rrugën që të çon në Strellc të Epërm, kur i është afruar shtëpisë së N.J., kalon i pandehuri Naser Pajazitaj, veturën e tij të tipit xhip sherokë, ngjyrë të kaltër, i cili ndalet, e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin te “Kroni i Lajthisë” e privon nga jeta me armë, duke shtënë dy herë në kokë dhe largohet nga vendi i ngjarjes.
Kufoma e viktimës është gjetur më 17.12.2015 në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit./Gazeta Sinjali/