Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur fajtor Orland Gashin, i akuzuar për dhunimin e një vajze të mitur, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin Marcel Lekaj, zyrtar për Informim në Gjykatën Themelore në Prizren, i cili tha se Departamenti për të Mitur ka shpallur aktgjykimin dënues më 7 nëntor.
Më tej ai tregoi se ndaj të njëjtit Gjykata ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 viteve.
Lekaj theksoi se ky rast është trajtuar në Departamentin për të Mitur, meqenëse e dëmtuara është e moshës së mitur.
Zëdhënësi i Gjykatës, tha se paraprakisht i akuzuari O.G., në shqyrtimin fillestar kishte pranuar fajësinë për veprën penale i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren – Departamenti për të Mitur.
Sipas tij, gjithashtu, me 7 nëntor ditën e shpalljes së aktgjykimit, gjyqtarja e rastit ka marrë aktvendim dhe ndaj të akuzuarit O.G, ka caktuar masën e paraburgimit, në bazë të nenit nenin 367 par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në të cilën parashihet se nëse gjyqtari gjykues shqipton dënimin prej 5 ose më shumë vjet burg të akuzuarit, të njëjtit ia cakton paraburgimin deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
“Në këtë rast, duke pasur parasysh këtë dispozitë ligjore dhe faktin se të akuzuarit O.G., i është shqiptuar dënim me burgim prej 5 vite, por ka qenë duke u mbrojtur në liri, gjyqtarja gjykuese ka caktuar masën e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar”, tha Marcel Lekaj.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.