image Dënimi për mosraportim të pasurisë, Hajdari: S’kemi të bëjmë me përfitim, çështje e lëshimit të kohës

Drejtësi

Dënimi për mosraportim të pasurisë, Hajdari: S’kemi të bëjmë me përfitim, çështje e lëshimit të kohës

news image

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, sot foli për dënimin me 700 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë për mosraportim të pasurisë.

Ajo u shpreh se dënimi që erdhi dje nga Gjykata, pra kjo dispozitë ka bazë vetëm elementin e faktorit kohë dhe tha se është faktor që ka ikur pa qëllim të keq dhe padashje gjatë vitit 2020.

“Kur kishim pandeminë, kur ishim në përballje me krizën me pandeminë, kur kishim edhe konfuzion më shumë raportime që ishin shtyrë gjatë kohës së pandemisë dhe me asnjë përfitim, nuk kemi të bëjmë me asnjë përfitim, nuk kemi të bëjmë me asnjë dëmtim të askujt, pra është çështje e lëshimit të kohës kur kemi raportuar me vonesë dhe si pasojë e qasjes sime në gjykatë lidhur me këtë çështje, është përcaktimi i tillë i vet dispozitës ligjore, unë nuk kam marrë ende vendimin, do ta marrë ta analizojë dhe kështu”, tha ajo.

Hajdari është dënuar me 700 euro gjobë.

Kështu ka informuar dje Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila ka bërë të ditur se Hajdari është gjobitur për veprën penale, “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Ndryshe,ish-ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, tha për Gazetën Sinjali se Partia Demokratike e Kosovës i bënë thirrje kryeministrit Albin Kurti që ta shkarkojë nga detyra ministren e Industrisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari pas dënimit nga Gjykata.

“Një ministre e cila nuk e deklaron pasurinë dhe dënohet nga Gjykata, duhet të japi dorëheqje morale apo të shkarkohet. Kjo është e papranueshme dhe kërkesa e jonë është që kryeministri ta shkarkoi atë, pasi që kjo ishte edhe kauza e VV sa ishin në opozitë dhe ku po mbeten tash”, tha Tahiri.

/GazetaSinjali/