Para pak minutave në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë është dëmtuar një gyp i ujësjellësit nga ekipet e Korporatës Energjetike të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, gypi është dëmtuar gjatë punimeve teknike të KEK-ut në këtë pjesë.
Me këtë rast, ujësjellësi bën të ditur se kjo lagje momentalisht nuk ka furnizim me ujë të pijës.
“Para pak çastesh u dëmtua gypi i ujit me diametër 160 mm, nga punimet teknike të realizuara nga KEK-u. Nuk është hera e parë që gypat e ujit dëmtohen nga palë të treta. Dëmtimi ka ndodhë në rrugën “Hyzri Talla” në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Ekipet e mirëmbajtjes dhe operimit të rrjetit të ujësjellësit janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me sanim. Kërkojmë mirëkuptim nga banorët e zonës qendër të lagjes Bregu i Diellit.
Shpresojmë që dëmtimi të sanohet sa më shpejtë”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/