Pjesëmarrja e Nico Paz në Kupën e Botës është vënë në pikëpyetje pas dëmtimit në gju që pësoi në javët e fundit të sezonit.
Në fillim u konsiderua si një problem i lehtë fizik, por zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet në kampin e Argjentinës, pasi ekzistojnë dyshime se lëndimi mund të jetë më serioz sesa u mendua fillimisht, raportojnë mediat spanjolle.
Mesfushori ende ka vështirësi në ecje pas dëmtimit të marrë në përballjen ndaj Hellas Veronës, një problem që e la jashtë dy ndeshjeve të fundit të sezonit. Ndërsa në fillim mbizotëronte optimizmi për rikthimin e tij të shpejtë, tani stafi mjekësor po monitoron gjendjen me kujdes dhe aktivizimi i tij në Botëror mbetet i pasigurt.
Pas një sezoni mjaft pozitiv, Paz shihej si një nga figurat e rëndësishme në procesin e rinovimit të skuadrës argjentinase. Mungesa e tij do të ndikonte veçanërisht në repartin e mesfushës, ku kreativiteti i tij konsiderohet një vlerë e madhe për kampionët e botës, sidomos në periudhën pas largimit të Ángel Di Marías.
Në rast se Nico Paz nuk arrin të rikuperohet në kohë, Emiliano Buendía përmendet si alternativa më e mundshme për ta zëvendësuar.
Mesfushori ofensiv ka lënë përshtypje të mira në fund të sezonit me Aston Villën, duke ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave të rëndësishëm. Aftësia e tij për të luajtur në disa pozicione të fazës sulmuese dhe eksperienca në ndeshje të rëndësishme e bëjnë një kandidat serioz për një vend në skuadër.
Sipas raportimeve të AS, forma e treguar në javët e fundit dhe vetëbesimi në rritje mund t’i japin Buendías një mundësi të artë për t’u përfshirë në planet e Argjentinës nëse Paz nuk arrin të jetë gati.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!