Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka zhvilluar sot një aksion në dy lokacione në Pejë dhe Klinë, ku janë arrestuar dy persona, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale të mashtrimit dhe shantazhit përmes sistemeve kompjuterike, raporton Gazeta Sinjali.
Në njoftimin e Policisë thuhet se viktima e rastit që ka rënë pre e të dyshuarit kryesor ka paguar një shumë të majme parash.
I dyshuari e ka mashtruar dhe e ka zhvatur financiarisht, duke i shkaktuar dëm në vlerë të mbi 80 mijë dollarë amerikanë.
“I dyshuari kryesor në këtë rast ka përdorur rrjetet sociale duke përdorur emër dhe fotografi personale të rrejshme, me qëllim të zhvatjes financiare i dyshuari ka arritur të mashtroj viktimën e cila i ka dërguar atij para përmes unioneve financiare. Të dyshuarit me veprimet e tyre kanë vënë në lajthim dhe kanë mashtruar viktimën duke i shkaktuar dëm me vlerë mbi 80 mijë dollarë amerikanë.” – njofton Policia.
Gjatë operacionit policor, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar gjësendet si në vijim:
- Një veturë;
- Dëshmi të transaksioneve nga unionet financiare;
- Dy telefona mobil;
- Dy revole;
- Tetë copë municion;
- Një maskë.
Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.