Delegacioni i Kosovës që do të marrë pjesë në takimin e 4 shtatorit përballë Serbisë në Washington, sot në mëngjes është nisur për në SHBA.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti.
“Po, delegacioni është nisur sot në mëngjes”, ka pohuar ai.
Kryeministri Hoti do të jetë kryesues i këtij delegacioni, ndërsa pjesë e ekipit që do të përballet me Serbinë në tavolinën e dialogut do të jenë edhe disa zyrtarë tjerë të qeverisë. Bëhet fjalë për dy zëvendëskryeministrat, Driton Selmanajn dhe Albulena Balaj-Halimin, ministrat nga radhët e AAK-së, Selim Selimin dhe Meliza Haradinaj-Stubllën, si dhe ministri i Infrastrukturës Abran Abrashi. Në delegacion, pashmangshëm është përfshirë edhe koordinatori Shtetëror, Skender Hyseni dhe shefja e kabinetit të kryeministrit Hoti, Ardita Dushi.
Takimi Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po konsiderohet si më i rëndësishmi në arritjen e një marrëveshjeje të mundshme përfundimtare. /Gazeta Sinjali