Delegacioni gjerman në takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, kanë theksuar se do të kenë marrëveshje për patentë- shoferë, respektivisht njohjen e tyre nga ana e Gjermanisë.
Ministri i Punëve të Brendshme dhe i Administratës Publike, Agim Veliu, sot gjatë ditës ka pritur z. Guido Zielke, i cili po qëndron në Prishtinë për takime rreth njohjes reciproke të patentë- shoferëve.
Sipas zyrës së informimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një marrëveshje e tillë do të jetë shume positive për Kosovën, jo vetëm për komunikacionin rrugor në rajon por edhe në Bashkimin Evropian.
Ministri Veliu, vlerësoi se takimet e tilla do të mundësojnë që për së afërmi të shkëmbehen përvoja dhe praktika reciproke në fushën e lëshimit, menaxhimit dhe legjislacionit.
Republika e Kosovës, në vitin 2019 ka aplikuar për njohjen e patentë-shoferëve të shtetasve tanë. Vizita e delegacionit gjerman paraqet nje hap të rëndësishëm për këtë proces, i cili si rezultat do të ketë vendimin përfundimtar të Gjermanisë dhe 16 Republikave të këtij shteti, për njohjen reciproke te patentë-shoferëve./ Gazeta Sinjali/