Ekspertët mjeko-ligjorë kanë nxjerrë rezultatet e ekspertizës lidhur me vdekjen e tre anëtarëve të familjes Haliti nga Gjilani, shkruan Gazeta Sinjali.
Nga policia e Durrësit, bëhet me dije se mjekët-ligjorë që kanë kryer ekspertizën kanë dalë në përfundim se vdekja është nga helmi i shkaktuar nga kërpudhat.
Ndërkohë, po kryhen edhe analizat e ushqimeve konkretisht të kërpudhave që janë gjetur të gatuara në shtëpi.
Familjarët, Elfete, 78 vjeçe, djali i saj Afrimi 56 vjeç e gruaja e tij Ferdinaze Haliti, 57 vjeçe, janë tre pjesëtarët e familjes nga Gjilani, të cilët ndërruan jetë njëri pas tjetrit në Shërbimin e Reanimacionit Qendror në QSUT, pasi ishin paraqitur në gjendje tejet të rëndë me diagnozë “intoksikacion nga kërpudha”.
Lidhur me vdekjen e dyshimtë të tyre, dy mjekë nga Durrësi janë proceduar penalisht nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Mjekim i Pakujdesshëm”./Gazeta Sinjali/