Ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.
Në seancën që po zhvillohet në Hagë, Shala ka thënë se nuk ka bërë asnjë krim.
“Nuk e ndjej veten se kam bërë një krim, përveç që e kam mbrojt atdheun dhe popullin tim dhe jam plotësisht i pafajshëm”, tha Shala.
Ai i ka quajtur qesharake pikat e aktakuzës, të lexuara nga prokuroria.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Gjykata Speciale.
Ndaj Shalë është konfirmuar një aktakuzë. Ai akuzohet për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet ai pretendohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që thuhet se u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë. /Gazeta Sinjali/