Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, që në legjislaturën e kaluar ka qenë shef i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës është deklaruar lidhur me vendimin e PZAP-së i cili i konvenon kësaj partie politike.
Sherifi i ka thënë Gazetës Sinjali se Nisma me vota të rregullta dhe të ligjshme do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ai zarfet nga Serbia i ka quajtur vota kriminale.
“Ajo që vazhdimisht e kemi theksuar se me vota të ligjshme Nisma ka qenë dhe është pjesë e Kuvendit. PZAP e vërtetoi atë çfarë Nisma ka thënë gjithmonë se me vota të rregullta jemi pjese e Kuvendit të Kosovës me 5.15% pa vota kriminale”.
“Këto nuk kanë qenë vota, ato kanë qenë zarfe të paligjshme dhe PZAP-ja e vërtetoi një gjë të tillë. Merrni votat e ardhura nga Serbia dhe hiqni nga rezultati i shpallur dhe do ta shihni sesa për qind të votave ka Nisma”, ka deklaruar Shefi për Gazetën Sinjali.
Kur është pyetur nëse Nisma do të ankohet për votat e ardhura me vonesë nga diaspora, Sherifi është përgjigjur se të gjitha do të bëhen me kohë, duke nën kuptuar se një tjetër ankesë e koalicionit Nisma-AKR-PD mund të bëhet në PZAP.
“Gjithçka në kohën e vet, sot kemi gëzimin që drejtësia fitoi dhe shteti nuk u dorëzua për të pranuar votat kriminale. Nisma ka qenë dhe do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Sherifi.
Kujtojmë se nga rezultatet përfundimtare të KQZ-së që llogariteshin edhe mbi 3 mijë vota nga Serbia, koalicioni Nisma-AKR-PD nuk e kalonte pragun zgjedhor. Ndërkohë nëse votat nga Serbia siç ka vendosur sot PZAP nuk do të numërohen, pritet që ky koalicion të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës./Gazeta Sinjali/