image Deklarohet i pafajshëm i akuzuari që i kërkoi Pacollit 1.4 milion euro "për ta shpëtuar" nga Specialja

Drejtësi

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari që i kërkoi Pacollit 1.4 milion euro “për ta shpëtuar” nga Specialja

news image

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është mbajtur seanca fillestare ndaj të pandehurit me iniciale E.H., i akuzuar për detyrim në tentativë, shkruan Gazeta Sinjali.

E.H., po akuzohet se tentoi t’ia marrë kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacollit, 1 milion e 400 mijë euro, në mënyrë që ta “shpëtojë” nga gjoja akuzat e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Në këtë seancë, i akuzuari E.H., është deklaruar i pafajshëm duke i mohuar të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të.

Këtë për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar prokurori special, Afrim Shefkiu, i cili tha se bazuar në të drejtën që i garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, gjyqtari i Departamentit Special, Arben Hoti, e ka njoftuar mbrojtësin e të pandehurit se brenda afatit ligjor mund të paraqes kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

E.H., akuzohet se nga muaji qershor i vitit të kaluar deri më 10 mars të këtij viti, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka tentuar që ta detyrojë të dëmtuarin Behgjet Pacolli, të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke përdoruar kanosjen serioze se i njëjti do të gjykohet nga ana e Gjykatës Sepciale në Hagë, po që se nuk i dorëzon shumën e kërkuar të të hollave.

I akuzuari E.H., është paraqitur rrejshëm si person me ndikim te prokurorët e specializuar, duke i prezantuar prova në raste të imagjinuara ndaj tij dhe në këtë mënyrë i ka kërkuar shumën e të hollave prej 850 mijë euro, pastaj 360 mijë euro dhe së fundmi 190 mijë euro, me qëllim që i dëmtuari (Behgjet Pacolli) “të mos gjykohet nga Gjykata Speciale në Hagë”.

Me këto veprime Prokuroria Speciale vlerëson se i pandehuri ka kryer veprën penale “detyrimi në tentativë” nga neni 328, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Gazeta Sinjali/