image Deklarohen përsëri të pafajshëm 6 të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit - Sinjali

Deklarohen përsëri të pafajshëm 6 të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit

news image

Të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviqit: Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, janë deklaruar sërish të pafajshëm.

Në seancën e parë të shqyrtimit kryesor që po mbahet sot, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, gjashtë të akuzuarit nuk pranuan fajësinë për akuzat lidhur me vrasjen.

Mirëpo, Zharko Jovanoviq ka pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në prill të vitit 2021, Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën e ngritur për këtë rast.

Kësisoj, Apeli e ka lënë në fuqi aktvendimin e nxjerrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 mars 2021, me të cilin ishin refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të parashtruara nga mbrojtja, ndaj aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së.

Ndaj vendimit të Themelores, në afatin ligjor kishin paraqitur ankesë mbrojtësit e të akuzuarve Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Rade Basara.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Zharko Jovanoviç, avokati Nebojsa Vlajiç kishte atakuar me ankesë vendimin e nxjerrë nga shkalla e parë, me të cilin atij i ndalohej përfaqësimi në këtë çështje penale, me pretekstin se mund të dëgjohej si dëshmitar.

Sipas vendimit të Apelit, pretendimet ankimore janë vlerësuar si të pabazuara, pasi që gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë kërkesat e paraqitura nga mbrojtësit dhe ka dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur nga PSRK-ja, përmban prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë, se të akuzuarit janë përfshirë në veprat për të cilat akuzohen.

Në vendim theksohet se në shkresat e lëndës dhe provat e mbledhura e të paraqitura në aktakuzë gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që u ngarkohen./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin