image Deklaratat në RTK, Prokuroria e Hagës e paralajmëron Dastid Pallaskën

Drejtësi

Deklaratat në RTK, Prokuroria e Hagës e paralajmëron Dastid Pallaskën

news image

Prokuroria e Specializuar në Hagë i është drejtuar me një kërkesë Trupit Gjykues në rastin e krerëve të UÇK-së. Jo lidhur me ndonjë procedurë gjyqësore të rastit, por për disa deklarata që ka dhënë avokati i ekipit mbrojtës të Thaçit, Dastid Pallaska, ditë më para në Radiotelevizionin e Kosovës.

Në një intervistë që Pallaska e kishte pasur më 13 prill në RTK pas nisjes së gjykimit në Hagë, ai kishte dhënë disa komente për të cilat Prokuroria po thotë se janë të pavërteta dhe në kundërshtim me Kodin e Sjelljes së avokatëve.

Andaj, ata kanë kërkuar nga trupi gjykues që t’ia jap një paralajmërim Pallaskës lidhur me këto deklarata, të cilat sipas ZPS-së mund të përfundojnë me sanksione.

“Prokuroria kërkon nga trupi gjykues që ta paralajmërojë bashkë-avokatin e Hashim Thaçit, z. Dastid Pallaska, për deklaratat publike në emisionin RTK Prime më 13 prill 2023. Siç është detajuar më poshtë, deklaratat bien ndesh me nenin 13(a) të Kodit të Sjelljes Profesionale për avokatët dhe prokurorët para Dhomave të Specializuara të Kosovës (‘Kodi i Sjelljes’)3 dhe Urdhri i Trupit Gjykues për Drejtimin e Procedurave (‘Urdhri mbi CoP’), të cilat ndalojnë deklaratat që janë të rreme, ose që komentojnë aplikimet e drejtpërdrejta para Panelit”, thuhet në këtë dokument që e ka parë gazeta Nacionale.

“Në veçanti, z. Pallaska duhet t’i kujtohet që t’u përmbahet kushteve të nenit 13(a) të Kodit të Sjelljes dhe udhëzimeve në Urdhrin për CoP, dhe të përmbahet nga deklaratat e ardhshme që i cenojnë ato, pasi deklarata të tilla kanë një ndikim negativ mbi integritetin e procedurës. Z. Pallaska duhet të paralajmërohet më tej se çdo shkelje e ardhshme e Kodit të Sjelljes ose Urdhrit për CoP mund të rezultojë në sanksione”, thuhet më tutje në këtë parashtrim.

Sipas Prokurorisë, deklaratat e Pallaskës vetëm sa e shtojnë edhe më shumë klimën e frikësimit dhe ambientin kundër Dhomave të Specializuara.

Çfarë deklaroi Dastid Pallaska në RTK?

Pjesa e parë e intervistës me të cilën është marrë Prokuroria, flet lidhur me faktin që në aktakuzën ndaj krerëve të UÇK-së nuk ka asnjë element të raportit të Dick Martyt. Aty, avokati Pallaska ishte shprehur se Specialja ishte krijuar për shkak të këtij raporti, kurse akuzat nuk ndërlidhen asgjë me atë raport.

Sipas Pallaskës, juridiksioni i Speciales bazohej në një arsyetim joserioz. Për këtë, Prokuroria ka thënë se janë deklarata mashtruese.

“Argumentet që sfidonin juridiksionin e Dhomave të Specializuara, në veçanti marrëdhëniet e saj me raportin e Marty-t, u diskutuan plotësisht para gjyqtarit të procedurës paraprake, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Kushtetuese. Tri Dhoma të ndryshme, në arsyetim të detajuar, kanë mbështetur lidhjen dhe juridiksionin përkatës. Komenti i z. Pallaska se juridiksioni bazohet në ‘arsyetim jo serioz’ është haptazi mashtrues dhe nuk përputhet me kërkesat e sinqeritetit dhe kujdesit”, thuhet në këtë parashtrim.

Pallaska më tutje në emisionin RTK Prime kishte deklaruar se në Gjykatën Speciale po gjykohet UÇK-ja, e jo individët siç pretendonte Prokuroria. Këtë e kishte mbështetur me akuzat për “Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale” e cila përmendet në aktakuzë. As kjo nuk i ka pëlqyer Prokurorisë, e cila ka thëën sërish se në Speciale po gjykohen individët.

“Paragrafi i mësipërm ofendon qartë paragrafin 19 të Urdhrit për CoP. Si zyrtar i Gjykatës, është e papranueshme të akuzohet publikisht Prokuroria për propagandë të ‘të pavërtetave’, për ta etiketuar Kosovën shtet kriminal. Ky tregim u hodh poshtë në mënyrë specifike nga Trupi Gjykues, i cili deklaroi se UÇK-ja nuk është në gjykim në këtë rast – por vetëm katër të akuzuarit. Prokuroria pohon se përsëritja e pretendimeve të tilla kontribuon në një klimë të hiperpolarizuar brenda Kosovës, duke e bërë më të vështirë dëshmitarët të bashkëpunojnë dhe të japin dëshminë e tyre. Palët mund të ofrojnë pikëpamje legjitime të ndryshme mbi akuzat, përmes procesit gjyqësor, në gjykatë ose publikisht, por Avokati duhet t’i përcjellë këto pikëpamje në çdo kohë në mënyrë profesionale, në mënyrë të informuar dhe në përputhje me nenin 13(a) të Kodit të Sjelljes”, thuhet në parashtrimin e Prokurorisë.

Pallaska më tutje kishte thënë se e gjithë çështja e Prokurorisë është e mbështetur në raportime të mediave e libra të ndryshëm. Ai kishte kritikuar edhe masat ekstreme mbrojtëse ndaj dëshmitarëve. Sërish, Prokuroria kundërshtoi duke thënë se janë shkelur rregullat e kodit të etikës.

Avokati Pallaska kishte komentuar edhe për faktin që Thaçi e të tjerët nuk po lirohen nga paraburgimi

Masat mbrojtëse janë objekt i proceseve gjyqësore të rregullta para Trupit Gjykues.20 Për më tepër, etiketimi i tyre ‘jashtëzakonisht i ekzagjeruar’ është i pasinqertë. Masat mbrojtëse nuk jepen në mënyrë abstrakte – ato vërtetohen përmes rreziqeve të identifikuara objektivisht për dëshmitarët individualë, për të ruajtur mirëqenien e tyre

“Në këtë koment, z. Pallaska në mënyrë efektive citon – dhe zhvlerëson – vendimet e mëparshme të Trupit Gjykues në lidhje me vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit. Vërejtjet e z. Pallaska janë gjithashtu një keqinterpretim i plotë – klima e frikësimit në Kosovë është konsideruar si një faktor kontekstual në përcaktimet plotësisht të individualizuara të paraburgimit, këto përcaktime janë mbështetur në ankesë nëpër përbërjet gjyqësore, dhe sfidat e mbrojtjes së Thaçit kundër përbërjes të Kolegjit të Apelit janë hedhur poshtë plotësisht. Përmes këtyre komenteve, z. Pallaska përsëri ka shkelur udhëzimet e shprehura të Trupit Gjykues”, thuhet më tutje në parashtrimin e Prokurorisë.

“Prandaj, z. Pallaska duhet të paralajmërohet dhe paralajmërohet shprehimisht se në përputhje me kushtet e Kodit të Sjelljes, Ligjit dhe Rregullave, shkeljet e mëtejshme mund të rezultojnë me sanksione”, përfundon ankesa.

Ky parashtrim i Prokurorisë ka filluar të shkaktojë reagime në Kosovë, duke vlerësuar se në këtë formë ZPS-ja po dëshiron t’i ndalojë zërat kundër në Kosovë.

/GazetaSinjali/