Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka komentuar propozimin që Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë Lidhjes Demokratike për koalicion parazgjedhor. Në këtë ofertë të Kurtit thuhet se kushdo që merr më shumë vota bëhet kryeministër i Kosovës.
Ilir Deda ka thënë se propozimi i Kurtit duhet pranuar.
“Propozimi i Albinit për listë të përbashkët zgjedhore LDK-së, duke e mënjanuar pikën ndarëse se kush është kandidat për kryeministër, duhet të pranohet”, ka shkruar Deda në Facebook.
Ai ka thënë se Kosova është aq afër mundësisë historike të transformimit politik e shoqëror, dhe kjo mundësi në asnjë rrethanë nuk bën të humbet.
Ndërkohë, Kurti gjatë ditë ka bërë publike ofertën e tij për VV, duke thënë se koalicioni parazgjedhor mes LDK-së dhe VV-së, është ai që po e dëshirojnë qytetarët.
“Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit”, ka shkruar Kurti në ofertën e tij.
Ndryshe Sinjali ka raportuar se LDK së shpejti pritet të mblidhen dhe të diskutojnë për ofertën e Vetëvendosjes.