Një konflikt familjar në fshatin Stanoc i Epërm të Vushtrrisë ka përfunduar me arrestimin e një 45-vjeçari, i cili dyshohet se, nën ndikimin e alkoolit, ka kanosur familjarët dhe ka dëmtuar derën e shtëpisë me thikë, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është F. M. rreth 45-vjeçar, ndërsa viktimë Sh. M. rreth 36-vjeçare.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 18 korrikut, rreth orës 20:00, në shtëpinë e çiftit në Stanoc të Epërm.
Viktima ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje, bashkëshorti i saj kishte filluar të bërtiste me zë të lartë dhe ta ofendonte. Më pas, ai dyshohet se kishte marrë një thikë të vogël, me të cilën kishte dëmtuar derën e shtëpisë.
Sipas burimeve, konflikti kishte nisur pasi i dyshuari kishte debatuar në telefon me vëllain e viktimës, të cilin gjithashtu e kishte ofenduar. Viktima ka deklaruar se bashkëshorti ndodhej nën ndikimin e alkoolit.
Gruaja nuk ka pësuar lëndime trupore dhe nuk ka pasur nevojë për trajtim mjekësor.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Policia e ka arrestuar F. M, i cili është shoqëruar në stacionin policor.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet si “Dhunë në familje”.
Pas përfundimit të procedurave, viktima është kthyer në shtëpi së bashku me dy fëmijët e saj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!