image DASH e përmend rastin Dehari: Hetimet po vazhdojnë, mostrat e tij u zhdukën

Drejtësi

DASH e përmend rastin Dehari: Hetimet po vazhdojnë, mostrat e tij u zhdukën

news image

Departamenti amerikan i shtetit ka publikuar raportin vjetor në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Në këtë raport që përshkruan zhvillimet në vitit 2022, përveç kritikave për korrupsion e mostransparencë, përmendet edhe rasti i Astrit Deharit i cili ka qenë aktivist i LVV-së.

Në raportin e tyre, DASh përmend se hetimet për rastin Dehari, nëse i njëjti është vrarë apo vetëvrarë, po vazhdojnë ende.

“Hetimi për vdekjen e aktivistit të Partisë Vetëvendosje në vitin 2016, Astrit Dehari, ka mbetur në vazhdim. Dehari është arrestuar me dyshimin për përfshirje në një sulm në parlament. Autoritetet hetuan nëse Dehari kreu vetëvrasje, ndërsa anëtarët e familjes së tij dhe përfaqësuesit e Partisë Vetëvendosje pretenduan se ai ishte vrarë për shkak të aktivizmit të tij politik.” – shkruan DASh.

Tutje, aty përmenden edhe zhvillimet fundit në lidhje me këtë rast, si p.sh. zhdukja e mostrave të gjakut e urinës.

“Në gusht, familja e Deharit pohoi se kishte prova se Dehari ishte sulmuar para vdekjes së tij dhe kërkuan zëvendësimin e prokurorit kryesor. Në shtator, një raport i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë zbuloi se zyrtarët kishin qasje të pahijshme dhe kishin ndarë regjistrimet e kamerave nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, duke shkelur kërkesat për mbrojtjen e të dhënave. Si kundërpërgjigje, në shtator qeveria suspendoi ish-drejtorin e Departamentit për Operacione, Siguri dhe Transport të të Paraburgosurve, ish-drejtorin e Qendrës së Paraburgimit në Prizren dhe kryeinspektorin e Inspektoratit të Drejtësisë. Në dhjetor, ministri i drejtësisë njoftoi se mostrat e gjakut dhe urinës së Deharit ishin zhdukur nga Laboratori i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Më pas, Ministria e Drejtësisë pezulloi katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfshirë zëvendësdrejtorin.” – përfundon pjesa për rastin Dehari në raportin e DASh.

Kujtojmë se më 10 mars, u raportua në media vendore se janë gjetur disa mostra të Astrit Deharit të cilat ishin zhdukur tash e sa kohë. Mirëpo, nëna e ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, Xhemile Dehari në një bisedë për Gazetën Sinjali tha se nuk kanë informacione për gjetjen e mostrave të birit të saj.

Madje, ajo sugjeroi që të pyetet Prokurori i rastit, Afrim Shefkiu.

Na as nuk i kemi marrë as nuk i kemi çu atje (IML). Pse nuk e thirrni prokurorin? Ai I paska marrë ai i paska kthy. Pyeteni Afrimin, ai e din më së miri. Ai i paska pas edhe në xhep me veti i ka mbajt, i paska kthy tash“, u shpreh ajo.

Ndryshe, në dhjetor të vitit të kaluar, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur për media kishte thënë se mostrat e ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari janë zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal. E kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit Besim Kelmendin dhe drejtorin e policisë Fehmi Hotin. Kam vizituar IML-në”, tha ajo

Ajo tha se në atë hapësirë të IML-së ku janë ndodhur mostrat kanë qasje vetëm 3 persona.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga kjo dy eroveta ja kanë dhënë Institutit Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit. Në vendin ku rrinë epruvetat kanë qasje vetëm 3 persona, pra vetëm 3 persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”.

/GazetaSinjali/